Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka zbardhur me dokumente dhe të dhëna zyrtare atë që e cilësoi si një skemë të ngritur rreth KAYO-s, duke akuzuar Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe biznesmenin Roni Yeffet për përfitime nga pasuritë dhe fondet publike.
Në konferencën për shtyp, në krah të kryedemokratit Sali Berisha, Balliu tha se përmes ndryshimeve ligjore dhe vendimeve të qeverisë, prona shtetërore dhe dhjetëra milionë euro nga buxheti janë vënë në dispozicion të kompanive private.
Sipas Balliut, dokumentet ngrenë pikëpyetje serioze edhe për sigurinë kombëtare, pasi KAYO është kompani shtetërore që vepron në sektorin e mbrojtjes dhe armëve. Ai renditi kontrata, pagesa, marrëveshje dhe transferime pronash, ndërsa kërkoi që drejtësia të hetojë kriteret e përzgjedhjes së partnerëve privatë, uljen e pjesëmarrjes së shtetit në disa ortakëri dhe përdorimin e pasurive publike.
Fjala e plotë e deputetit të PD, Klevis Balliu:
Përshëndetje.
Siç tha dhe kryetari, çështja KAYO është një çështje komplekse që lidhet në mënyrë direkte me sigurinë kombëtare të vendit. KAYO është një kompani shtetërore, e cila merret me prodhimin e armëve, tregtimin dhe shumë segmente të tjera që lidhen me Forcat e Armatosura dhe sigurinë kombëtare.
KAYO është e autorizuar gjithashtu të krijojë partneritete me kompani private për të kryer objektivat e veta. Ne kemi denoncuar prej kohësh, edhe në deklarata, edhe në interpelancë me Ministrin e Mbrojtjes, edhe në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, që kjo është një skemë e mirëfilltë korruptive.
Sot do të tregojmë se si nëpërmjet KAYO-s është cenuar siguria e vendit dhe janë vjedhur paratë e buxhetit të shtetit dhe se si po përvetësohen pronat e rëndësishme të sigurisë nga privati nëpërmjet VKM-ve të Edi Ramës.
Në këtë skemë, Edi Rama, Belinda Balluku, bashkë me mikun e tyre Ron Yeffet, kanë arritur të marrin përfitime të mëdha. Rama ka ngritur një ingranazh të tërë zyrtarësh vetëm për t'i shërbyer mikut të tij Yeffet, praktikisht vetes së tij.
Ne do të provojmë me fakte se si po përdoret shteti për interesat monetare të Ramës dhe miqve të tij, duke cenuar rëndë sigurinë kombëtare të vendit, por gjithashtu duke cenuar edhe aleancën tonë me NATO-n, por edhe marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën siç e patë në përgjimet e tmerrshme të publikuara nga Arben Ahmetaj, Ron Yeffet, partneri operacional i Ramës, kërkonte të përfshinte Shtetet e Bashkuara në këtë aferë duke krijuar një kompani amerikane fiktive.
Në prill të vitit 2023, Edi Rama do të shfaqej në zonën e Kasharit me një zonjë të panjohur që quhet Arjeta Puca. Në 13 maj të 2023-shit, Edi Rama do ta ftonte zonjën në podcastin e tij. Pas kësaj marrëdhënieje të re të Ramës, në vitin 2024, shfaqet baza ligjore për KAYO-n.
Konkretisht me datën 26.07.2024, kjo kompani shtetërore që ka për objekt prodhimin, tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake, ky ligj i jep fuqi kësaj kompanie shtetërore edhe të marrë prona shtetërore dhe të ketë bashkëpunim në bashkim Joint Venture me kompani private.
Më pas, KAYO autorizohet të negociojë për krijimin e një shoqërie të përbashkët në fushën e uniformave, ku KAYO sjell 20 mijë metra katrorë pasuri publike, dhe partneri privat duhet të investojë 15 milionë euro dhe të punësojë 400 persona. Kjo tregohet tek VKM numër 291, datë 28.05.2025, pika 3 dhe pika 4, firmosur nga shoqja Belinda Balluku.
Pavarësisht se pasuritë dhe gjithçka sot janë marrë nga privati, ende nuk kemi as investimin dhe as 400 punonjësit.
Në datën 11 qershor 2025, me VKM numër 322, për partneritetin në fushën e mjeteve motorike të posaçme, përcaktohet fillimisht pjesëmarrja minimale e KAYO-s prej 45%. Por kjo nuk ndodh, sepse KAYO përfundon më pas me 20%, me një vendim tjetër.
Vetëm rreth një muaj më pas, Edi Rama vendos të nxjerrë një VKM të re me numrin 387, datë 10.07.2025, që ul përqindjen e KAYO-s në minimum 20%. Pra ja uli aksionet shtetit nga 45 në 20%. Firmosur edhe kjo nga Lubi Balluku.
Ku qëndron interesi i shtetit këtu? Asgjëkund. Thjesht kjo është forma që pasuritë shtetërore dhe paratë publike Rama ia kalon tek njerëzit e tij, ose më saktë tek vetja e tij, 80% e gjithçkaje i kalon kompanisë bijë që krijohet. Si funksionon Joint Venture me KAYO-n?
Një nga kompanitë e përfshira në këtë skemë të krijuar nga Rama është Timak SHPK, e cila është promovuar personalisht nga vetë Edi Rama në podcastin e tij dhe ai ka shkuar dhe ka qëndruar vetë atje.
Vetëm 6 ditë pas VKM-së numër 322 që uli përqindjen e pjesëmarrjes të KAYO-s në 20% nga 49%, konkretisht me datën 17.06.2025, Arjeta Puca dhe Ron Yeffet lidhin një marrëveshje ku Ron Yeffet blen 49% të kompanisë Timak për vetëm 490 euro. Kjo ka shumë rëndësi sepse një kompani që prodhon armë nuk kushton 490 euro. Këto kompani në të gjithë botën janë pasuri miliarda, në disa raste në SHBA triliona.
Yeffet është një emër i lidhur me disa afera të dyshimta financiare. Vlen të theksohet dhe njëherë se kjo marrëveshje u bë vetëm 6 ditë pasi u përcaktua modeli i Joint Venture i KAYO-s.
Zoti Yeffet është përmendur nga zëvendëskryeministri Ahmetaj si personi që Rama kërkonte të blinte borxhin e shtetit shqiptar, gjë që u refuzua nga zëvendëskryeministri Ahmetaj. Po ashtu, ai ka tentuar të blejë pronën e Ambasadës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ngritur rezidenca private, një projekt i refuzuar nga Ministria e Jashtme nën drejtimin asokohe të zotit Ditmir Bushati. Interesant është fakti që të dy këto persona që ishin të qeverisë nuk janë më të qeverisë pas përplasjeve për Ron Yeffet.
Emri i tij është i lidhur edhe me aferën e Air Albania, Aeroportin e Vlorës dhe me Ergys Agasin në Equos Resort, si pronar i një pjese të resortit me kompaninë Timak Horse Club. Gjithashtu ai është parë edhe në praninë e Belinda Ballukut. Se pavarësisht klaneve, Balluku apo Agasi, paratë në të gjitha rastet janë të Ramës, dhe prandaj ata bashkëpunojnë kudo ku duhet të marrë paratë Edi Rama.
Për më tepër, nëse ligjërisht një marrëveshje e tij me qeverinë e kohës u anulua dhe po hetohet për korrupsion nga autoritetet. Pra kudo që është Yeffet është dhe korrupsioni dhe pa diskutim është dhe Edi Rama.
Vetëm pak javë pas kontratës të dyshimtë të Yeffet me Pucën, me 4 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me Timak SHPK kompaninë Timak Defense, ku 80% zotërohen nga Timak dhe 20% nga KAYO e Ardit Veliut e Ilir Prodës, me kapital fillestar prej vetëm 35 mijë euro.
Timak Defense është aq qesharake sa kjo kompani ka vetëm 14 punonjës dhe Rama pretendon se kjo kompani po prodhon makina ushtarake. Timak SHPK ka një kapital prej 100 mijë lekësh ose 1 mijë euro, që nuk plotëson kriterin për kapitalin minimal 15 milionë euro. Në shkelje pra të VKM-së 291 datë 28.05.2025 që përcakton se duhet minimalisht 15 milionë euro dhe 400 punonjësit.
Në të njëjtën kohë, me 1 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me kompaninë MSCC në pronësi të Emiliano Dushës, kompaninë MKD Myslim Keta Defense, me administrator Gentian Karajn, ku MSCC zotëron 80% dhe KAYO 20% të aksioneve. Sërish me kapital minimal prej 35 mijë eurosh.
MSCC ka një kapital prej 10 milionë euro sot që ne flasim, që mund të ketë qenë edhe më pak në atë kohë, por mund të ketë qenë edhe më shumë, në të gjitha rastet, nuk plotëson kriterin për kapitalin minimal prej 15 milionë eurosh duke iu referuar dokumenteve të sotshme. Pra në shkelje sërish të VKM-së 291 datë 28.05.2025.
Më tej me 8 gusht 2025, KAYO dhe MSCC themeluan edhe kompaninë Guna Tactical, ku MSCC zotëron 51% dhe KAYO 49% të aksioneve, me kapital përsëri të njëjtë 35 mijë euro, me objekt prodhim dhe shpërndarje, tregtim të uniformave ushtarake të Policisë së Shtetit. Kompania MSCC, siç thashë, ka kapital prej 10 milionë eurosh dhe kjo kompani nuk i plotëson kriteret e VKM-së 291 datë 28.05.2025.
Me VKM-në numër 449 datë 31.07.2025, Edi Rama autorizon KAYO-n të negociojë me një shoqëri private për të krijuar së bashku një shoqëri që do të prodhojë, tregtojë armë dhe drone me KAYOn si pronare për 20%, që KAYO duhet të ofrojë një pronë me të paktën 5000 metra katrorë, ndërsa partneri privat duhet të sigurojë minimumin 50 milionë euro investim.
Kompania që krijohet është Advanced Arm Technology në 11.11.2025 nga KAYO me 20% dhe Uno 18 e të përhershmit, shokut të Ramës dhe Ballukut, zotit Ron Yeffet me 80%, me kapital 35 mijë euro, me objekt prodhim, montim dhe tregtim të armëve të zjarrit të kalibrit të vogël dhe të mesëm, si dhe mjeteve ajrore pa pilot, droneve pra, për përdorim ushtarak e të tjerë, me administrator pa diskutim të preferuarën e Edi Ramës, zonjën Arjeta Puca.
Si mundet një kompani me këtë vlerë të kryejë këto detyra? Uno 18 SHPK është krijuar vetëm dy vjet më parë nga Ron Yeffet, i cili në gusht të këtij viti shet gjysmën e aksioneve duke e bërë bashkëpronare Arjeta Pucën, kundrejt vlerës sa, do të më pyesni ju...? Kundrejt vlerës 50 lekë, ose baraz me 1 çamçakëz. Uno 18 ka një kapital prej 100 lekësh ose 1 euro.
Pra, në shkelje të VKM-së numër 449 datë 31.07.2025 dhe VKM-së numër 291 datë 28.05.2025. Skandali thellohet kur vetëm dy javë pas krijimit të kompanisë të parë të këtij formati, KAYO ndërhyri me forcë dhe në shkelje të hapur të ligjit duke mos respektuar vendimin gjyqësor për të uzurpuar ambientet e televizionit News 24, që në atë kohë po hetonte mbi këtë strukturë në emisionin e tyre Vetting.
Pavarësisht se News 24 kishte vendimin e Gjykatës, KAYO e vodhi me forcë. Të gjitha këto kompani me kapitale qesharake pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, një projekt jo vetëm i pashembullt në absurditetin e tij, por edhe thellësisht i rrezikshëm për shkak të mungesës së transparencës, kritereve ligjore dhe garancive të sigurisë. Dhe me këtë justifikim janë marrë pronat e shtetit dhe i kanë kaluar KAYO-s.
Si për shembull, në 12 mars 2025 kalon pasuria e parë shtetërore te KAYO, qeveria revokon të drejtën e pronësisë të Bashkisë Tiranë për pasurinë numër 16, ish-uzina e pjesëve të ndërrimit të automjeteve dhe ia kalon KAYO-s, VKM datës 12.03.2025. Përcakton se kjo pronë do të përdoret për objektin e veprimtarisë së KAYO-s dhe ndalon ndryshimin e destinacionit ose tjetërsimin e tyre.
Tjetër pronë është ish-uzina e përpunimit të bakrit Rubik, pronat e objektit më parë në përgjegjësi administrimi të Albaker SHA, u transferuan në pronësi të KAYOs, VKM datë 06.03.2025.
ULP Mjekës, KAYO përthithi aktivitetin e ndërmarrjes shtetërore duke marrë në strukturën e re kapacitetin e saj industrial, Ligji numër 88 fraksion 2024, datë 25.07.2024, konfirmimi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.
KM Poliçan, KAYO përthithi aktivitetin e ndërmarrjes shtetërore përfshirë kapacitetet e saj industriale të municioneve, Ligji numër 88 2024, datë 25.07.2024, konfirmim zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.
UM Gramsh, KAYO përthith sërish aktivitetin e ndërmarrjes shtetërore duke përfshirë kapacitetet industriale të Gramshit, ligji numër 88 fraksion 2024, datë 25.07.2024, konfirmim zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.
Kantieri Detar Pashaliman Vlorë, KAYO u autorizua të kontribuojë në Joint Venture me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të kantierit të Pashalimanit, të cilit do t'i japë Joint Ventures në përdorim, pa të drejtë tjetërsimi, VKM numër 255 datë 10.04.2026.
Çështja është se këto prona publike po i kalojnë kompanive që nesër kontrollohen nga privati, siç është me rastin e Ron Yeffet, 80% privati, 20% shteti. Pra merren pronat e shtetit shqiptar dhe i jepen miqve të pushtetit.
Deri tani KAYO dhe shoqëria ku ajo bën pjesë si Joint Venture ka përfituar nga paratë e shqiptarëve 45 milionë euro.
Konkretisht: Guna Tactical datë 26.11.2025 pagesë 1 milion euro për blerje uniforma për repart ushtarak numër 4300 Tiranë; Guna Tactical 26.01.2026 pagesë 3.6 milionë euro për uniformat për OFM Teknik Tiranë; Guna Tactical 22.05.2026 pagesë 2.5 milionë euro për Drejtorinë e Përgjithshme e Burgjeve; KAYO datë 20.11.2024 pagesë 1.5 milion euro kapital fillestar nga reparti ushtarak numër 3001 Tiranë; KAYO 15.08.2025 pagesë 1.5 milion euro kapital fillestar nga reparti ushtarak numër 3001 Tiranë; KAYO 26.01.2026 pagesë 2.6 milionë euro për mjete teknike nga reparti ushtarak numër 1001 Tiranë; KAYO 26.01.2026 pagesë 3.5 milionë euro për blerje automjete nga reparti ushtarak numër 4300 Tiranë; Timak Defense 29.10.2025 pagesë 6 milionë euro për ndërtim sistemi antidron nga reparti ushtarak numër 3001 Tiranë; Timak Defense 04.11.2025 pagesë 4.4 milionë euro për blerjen e automjeteve taktike transporti të lehtë nga reparti ushtarak numër 4300 Tiranë; Timak Defense 27.04.2026 5 milionë euro për ndërtim sistemi antidron nga reparti ushtarak numër 3001 Tiranë; Timak Defense 26.05.2026 pagesë 111 mijë euro për blerje automjeti nga OFM Teknik Tiranë; Timak Defense 25.06.2026 pagesa 10 milionë euro për pajisje teknike nga reparti ushtarak numër 3001 Tiranë; Timak Defense sërish 11.08.2026 3.3 milionë euro për blerje automjete transporti nga reparti ushtarak numër 4300 Tiranë; dhe sërish Timak Defense 17.08.2026 pagesë 86 mijë euro për blerje automjeti i KMT.
Të gjitha këto që sot nxorëm në pah janë fakte, prova të marra nga dokumente shtetërore, nuk janë akuza të prodhuara nga opozita. Dhe këto ngrënë ca pyetje që drejtësia nëse do të bëjë detyrën e vet, duhet t'i ngrejë:
-Cilat ishin kriteret e përzgjedhjes së partnerëve privatë të KAYOs?
-Ku është dokumentacioni që provon verifikimin e kritereve të nenit 10 të ligjit numër 88/2024, licencimi, siguria, kapaciteti teknik, operacional, financiar dhe reputacioni, në sektorin ushtarak?
-Ku janë dokumentet e procesit konkurrues aty ku ligji e kërkon? -Në rastet e përzgjedhjes së drejtpërdrejtë, ku është dokumentacioni që justifikon përdorimin e kësaj procedure sipas nenit 10?
-Ku janë marrëveshjet dhe planet e biznesit që provojnë investimet minimale prej 15 milionë eurosh dhe 50 milionë euro të përcaktuara në VKM-të përkatëse?
-Si u kalua nga 45% në 20% pjesëmarrja minimale e KAYO-s me VKM-në numër 387?
-Cilat prona publike janë vendosur në dispozicion të këtyre shoqërive dhe me cilat akte?
Dhe mbi të gjitha, ku është dokumentacioni që provon se kushtet e përcaktuara nga vetë qeverisja përmbushen nga partnerët privatë?
Asnjë nga këto pyetje nuk merr përgjigje nëse drejtësia nuk thërret Edi Ramën ta pyesi si shef i këtij operacioni.
Ta pyesni si shef i këtij operacioni.
© SYRI.net
Blushi, Manjës dhe Gogut: Zgjidhni konfliktin GJKKO-Avokati, ose pranoni që konflikti është stisur nga Rama
Afera Edi Rama-Roni Yeffet/ Berisha: Të gjitha provat do i dërgojmë edhe tek institucionet e NATO-s
Berisha: Roni Yeffet alias Edi Rama shtriu duart në aeroportin e Vlorës, paratë shkuan te hipodromi privat i Agasit