Studimi: Rriten rastet e disa llojeve të kancerit tek të rinjtë në Angli

6 Tetor 2026 | 13:43

Rastet e shtatë llojeve të kancerit janë rritur ndjeshëm te personat nën 50 vjeç në Angli gjatë dy dekadave të fundit, sipas një analize të publikuar nga Fondi Ndërkombëtar i Kërkimit të Kancerit.

Analiza shqyrtoi të dhënat zyrtare të regjistrit të kancerit për 12 lloje të sëmundjes në periudhën 2001–2023. Rritje të konsiderueshme u evidentuan për kancerin e gjirit, kolorektalit, veshkave, mëlçisë, pankreasit, prostatës dhe mitrës.

Rritja më e madhe proporcionale u regjistrua te kanceri i prostatës. Diagnozat tek burrat nën 50 vjeç u rritën nga 158 raste në vitin 2001 në 640 raste në vitin 2023, ndërsa incidenca u rrit nga 1 në 3.6 raste për 100 mijë burra. Megjithatë, kanceri i prostatës mbetet relativisht i rrallë në këtë grupmoshë.

Edhe kanceri kolorektal me fillim të hershëm shënoi rritje të dukshme. Incidenca tek gratë u rrit nga 3.8 në 8.3 raste për 100 mijë, ndërsa tek burrat nga 4 në 8.4 raste për 100 mijë.

Rritje të ndjeshme u regjistruan gjithashtu për kancerin e mitrës dhe atë të veshkave. Shkalla e kancerit të mitrës u dyfishua, nga 1.8 në 3.9 raste për 100 mijë gra. Ndërkohë, incidenca e kancerit të veshkave u rrit nga 1.2 në 2.3 raste për 100 mijë gra dhe nga 1.9 në 3.6 raste për 100 mijë burra.

Kanceri i gjirit mbeti lloji më i zakonshëm i kancerit të diagnostikuar te gratë nën 50 vjeç. Incidenca u rrit nga 42 në 47.5 raste për 100 mijë gra. Rritje më të vogla u evidentuan edhe për kancerin e mëlçisë dhe pankreasit.

Analiza krahasoi gjithashtu të dhënat nga Shtetet e Bashkuara dhe Holanda. Në SHBA u identifikuan rritje të konsiderueshme në pesë lloje kanceri, ndërsa në Holandë u evidentuan rritje në katër lloje.

Të dhënat tregojnë një rritje të rasteve të disa llojeve të kancerit me fillim të hershëm, duke nxitur nevojën për studime të mëtejshme për të kuptuar faktorët që mund të lidhen me këto tendenca.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Studimi: El Nino mund të paralajmërojë nxehtësinë ekstreme në Amazonë

Kushtet e lidhura me fenomenin El Niño dhe ngrohja e Atlantikut tropikal mund të ofrojnë sinjale për nxehtësi ekstreme në disa pjesë të Amazonës deri...
13:39 | 06/10/2026

Dyshohet për murtajë pneumonike, sa është rreziku i përhapjes së sëmundjes pas vdekjes së punonjëses në Rusi

Një punonjëse e institutit kundër murtajës në Irkutsk të Rusisë ka humbur jetën pasi një epruvetë u thye në laborator, raportojnë mediat rajonale. Rasti ka...
12:26 | 06/10/2026

Zbulimi i neutrinove me energji të lartë, Francis Halzen merr Çmimin Nobel në Fizikë

Francis Halzen është shpallur fitues i Çmimit Nobel në Fizikë për kontributet e tij në Observatorin e Neutrinove IceCube dhe zbulimin e neutrinove me energji...
12:05 | 06/10/2026