Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Punimet drejt fundit, Qeveria nis konsultimet për operatorin e linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas

Shkruar nga Newsbomb
Punimet drejt fundit, Qeveria nis konsultimet për operatorin e linjës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi

Qeveria shqiptare po përgatit procedurën konkurruese për përzgjedhjen e operatorit që do të ofrojë shërbimin e transportit të pasagjerëve në linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit, ndërsa punimet për rehabilitimin e linjës dhe stacionet janë drejt përfundimit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha të martën se kontrata e shërbimit publik që po përgatitet do të përcaktojë standardet e shërbimit, përgjegjësitë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.

“Shteti përcakton nevojën dhe standardin e shërbimit dhe, përmes një procedure konkurruese, kërkohet të gjendet një mënyrë më konkurruese për ofrimin e shërbimit”, tha Karakaçi gjatë takimit konsultativ për kontratën e shërbimit publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në linjën Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit.

Konsultimi synon të testojë jo vetëm interesin e operatorëve potencialë, por edhe mënyrën se si do të organizohen mjetet lëvizëse, financimi, mirëmbajtja dhe nisja e shërbimit.

“Ne duhet të ofrojmë një shërbim modern, të orientuar drejt pasagjerit dhe këtu merr rëndësi kontrata e shërbimit publik që po diskutojmë sot”, tha ministri. Sipas tij, performanca e operatorit do të jetë një element qendror i kontratës.

“Nuk duam një operator që të kryejë kilometra, por të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm për qytetarët”, tha Karakaçi, duke shtuar se procedura duhet të sigurojë transparencë, konkurrencë dhe të sjellë në Shqipëri përvojën më të mirë ndërkombëtare.

Linja Tiranë–Durrës përfshin rehabilitimin e hekurudhës ekzistuese, lidhjen e re me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e linjës, raporton Monitor.al.

“Punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit dhe elektrifikimi pritet të përfundojë brenda vitit 2027”, tha Karakaçi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese