Karakaçi: Po përgatitim kontratën e shërbimit për transportin hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas, përcaktohen oraret dhe financimi

6 Tetor 2026, 14:10Ekonomia TEMA
Karakaçi: Po përgatitim kontratën e shërbimit për

Shqipëria po përgatit Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në korridorin Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Këtë e bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi i cili tha se kontrata synon të përcaktojë kuadrin për ofrimin e shërbimit hekurudhor, standardet, përgjegjësitë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.

Gjatë takimit me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare, Karakaçi e cilësoi kontratën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e transportit hekurudhor në vend dhe theksoi se konsultimi me tregun synon të identifikojë zgjidhjet më të përshtatshme për operimin e shërbimit.

Projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e programit për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor. Sipas ministrit, ai përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin.

Punimet për rehabilitimin dhe stacionet janë drejt përfundimit, ndërsa elektrifikimi parashikohet të përfundojë brenda vitit 2027.

“Investimi në infrastrukturë, sado i rëndësishëm të jetë, nuk është qëllimi final. Në fakt, qëllimi final është që qytetarët ta ndjejnë realisht ndryshimin dhe për këtë ne duhet të sigurojmë edhe një shërbim hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit”, tha Karakaçi.

Sipas tij, Kontrata e Shërbimit Publik për korridorin Tiranë-Aeroport-Durrës do të përcaktojë elemente të tilla si volumi i shërbimit dhe tren-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose leasing-ut, financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, periudhën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, mekanizmin e kompensimit dhe indeksimit, të ardhurat nga biletat dhe treguesit e performancës.

Ministri tha se synimi nuk është vetëm ofrimi i një numri të caktuar kilometrash shërbim hekurudhor, por krijimi i një shërbimi të matshëm dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

“Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë”, u shpreh ai.

Karakaçi theksoi gjithashtu se procedura që po përgatitet duhet të garantojë konkurrencën, transparencën dhe fleksibilitetin, ndërsa konsultimi me kompanitë synon të përcaktojë zgjidhjet e tregut për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe mobilizimin e shërbimit.

Ministri bëri të ditur se krahas linjës Tiranë-Durrës-Aeroport, po avancojnë edhe projekte të tjera për zhvillimin e rrjetit hekurudhor.

Në veri, linja Vorë-Hani i Hotit, rreth 120 kilometra e gjatë, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Projekti është bashkëfinancuar nga BERZH, BEI dhe Bashkimi Evropian. Sipas Karakaçit, vlerësimi i ofertave është në fazën përfundimtare dhe pritet shpallja e fituesit brenda këtij viti.

Ndërkohë, projekti Durrës-Rrogozhinë është një tjetër hallkë e rëndësishme e rrjetit. Linja është pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII. Rehabilitimi parashikon një infrastrukturë moderne me shpejtësi projektimi deri në 120 kilometra në orë, stacione të modernizuara, si dhe sisteme të reja sinjalizimi dhe telekomunikacioni.

Edhe për këtë projekt, sipas ministrit, vlerësimi i ofertave është në fazën përfundimtare dhe pritet që brenda këtij viti të shpallet fituesi dhe të lidhet kontrata.

Në vijim po përgatitet edhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, si vazhdim i linjës së Korridorit VIII. Paralelisht po zhvillohet projekti për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore me Aeroportin e Vlorës.

Në fokus është edhe lidhja hekurudhore Durrës-Prishtinë, për të cilën, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, po punohet për përgatitjen e një projekti të detajuar teknik.

Krahas transportit të udhëtarëve, ministri tha se po ndërtohen edhe lidhjet e nevojshme për transportin e mallrave. Një prej tyre është lidhja Sukth-Porto Romano, e cila synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri në Porto Romano dhe të forcojë lidhjen ndërmodale mes hekurudhës dhe transportit detar.

“Pra, ajo që po tentojmë të ndërtojmë është një rrjet që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare”, deklaroi Karakaçi.

Ministri e cilësoi këtë si vizionin për rivitalizimin e Hekurudhës Shqiptare, ndërsa theksoi se përfshirja e operatorëve ndërkombëtarë dhe privatë synon të sjellë ekspertizë dhe përvojë në sistemin hekurudhor, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe transferimin e njohurive te personeli i Hekurudhës Shqiptare, veçanërisht në fushën e mirëmbajtjes.

Karakaçi falënderoi gjithashtu partnerët evropianë dhe financiarë, përfshirë BERZH-in, BEI-n dhe konsulentët e Bashkimit Evropian, për asistencën e dhënë në këtë proces.

Lini një Përgjigje