Bashkimi Evropian duhet të kalojë nga angazhimet politike te veprimet konkrete për zgjerimin. Ky ishte mesazhi i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në edicionin e 12-të të “Tirana Connectivity Forum”, ku theksoi se Shqipëria po bën pjesën e saj në procesin e integrimit, ndërsa vendet kandidate kanë nevojë për një udhërrëfyes të qartë drejt anëtarësimit.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha tha se angazhimet për zgjerimin duhet të mbështeten në hapa konkretë dhe në një plan të dakordësuar mes Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.
“Shqipëria po bën pjesën e saj. Ne po ecim përpara kapitull pas kapitulli, kriter pas kriteri, reformë pas reforme, me objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Sepse reformat nuk janë kushte të imponuara nga jashtë; ato janë investime për një Shqipëri më të fortë, më demokratike dhe më të begatë. Shumë përpara se të bëhen standarde të BE-së, ato janë gurë kilometrikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe modernizimit”, u shpreh ministri.
Ministri i Jashtëm u ndal edhe te integrimi gradual i vendeve kandidate në politikat dhe programet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo mund të përshpejtojë afrimin me bllokun, por nuk mund të zëvendësojë anëtarësimin e plotë.
“Përmes pjesëmarrjes së shkallëzuar në politikat e BE-së, në Tregun e Përbashkët, në programet e përbashkëta dhe projektet strategjike, mund të përshpejtojmë konvergjencën, duke forcuar njëkohësisht besimin në procesin e zgjerimit. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një rrugë më e besueshme, më pragmatike dhe më e qëndrueshme drejt tij, në dobi si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian”, tha Hoxha.











Komente
Komento