Në kuadër të operacionit të koduar “Kthesa”, Policia e Beratit ka goditur një rast të dyshuar të kalimit të paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.
Një 42-vjeçar nga Berati u arrestua në flagrancë, ndërsa një bashkëmoshatar nga Laçi u procedua në gjendje të lirë. Sipas policisë, i arrestuari po transportonte me automjet shtetasin nga Laçi, me qëllim kalimin ilegal të kufirit.
Hetimet për këtë rast janë kryer për rreth një muaj me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë.

DVP Berat/Finalizohet operacioni i koduar “Kthesa”.
Transportonte një shtetas shqiptar që do të kalonte ilegalisht, në Greqi, arrestohet 42-vjeçari.
Vihet në hetim 42-vjeçari, banues në Laç, i cili do të kalonte ilegalisht, kufirin.
Sekuestrohen 6800 euro të dyshuara të përfituara nga transporti i kundërligjshëm, 3 celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetasit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin e koduar “Kthesa”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në Berat, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi D. Rr, 42 vjeç, banues në Laç.
Automjeti që drejtonte i arrestuari dhe në të cilin ishte pasagjer shtetasi D. Rr., u ndalua në afërsi të PKK Kakavije, ku dyshohet se shtetasi A. H. po transportonte të proceduarin, për të kaluar ilegalisht kufirin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


