web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Industria e gjobëvënies/ Armela Krasniqi e AMA-s flet me shifra

6 Tetor 2026, 13:41, Aktualitet CNA
Industria e gjobëvënies/ Armela Krasniqi e AMA-s flet me shifra
Armela Krasniqi

CNA TV ka denoncuar një nga rastet se si përdoren lajmet e rreme për të sulmuar konkurrentët në biznes.

Portale të rreme, media të sajuara vetëm për të mashtruar dhe gjobitur bizneset.

Ngjarja nuk është një episod i rastësishëm, portalet e stisura me lajme të rreme për të përfituar përmes mashtrimeve janë tashmë një realitet dhe dukuri e shtrirë gjerësisht në jetën e vendit.

Në lidhje me këtë çështje CNA i është drejtuar me një shkresë Autoritetit të Mediave Audiovizive.

AMA është institucioni që kontrollon vetëm mediat audiovizive, pra radion dhe televizionin.

Ligji nuk e përfshin AMA-n në monitorimin dhe problematikën e lindur nga industria e mediave online dhe portaleve gjobëvënëse.

Edhe pse kemi televizione të konsoliduara dhe media audiovizive me standarde të larta, sërish shfaqen problematika.

Në përgjigjen zyrtare për CNA, drejtoresha e AMA-s, Armela Krasniqi, ka bërë me dije se ka ankesa në lidhje me lajme dezinformuese.

Krasniqi ka folur me shifra duke bërë me dije se në vitin 2023 ka pasur 2 ankesa, në vitin 2024, 1 ankesë, në vitin 2025 ka pasur 1 ankesë dhe për periudhën nga janari në korrik të vitit 2026 janë plot 33 ankesa.

Krasniqi ka deklaruar për CNA se, prej tyre, 25 lidheshin me të njëjtin material audioviziv, në 26 ankesa është reaguar me tërheqje vëmendjeje; për ankesat e tjera, sipas rastit, nuk është konstatuar shkelje ose përmbajtja është vlerësuar jashtë juridiksionit të AMA-s.

“Po. Sipas të dhënave të Këshillit të Ankesave, ankesat për dezinformim janë paraqitur ndër vite si më poshtë:

Në vitin 2023: 2 ankesa. Njëra, lidhur me një intervistë të transmetuar nga një televizion, u trajtua me tërheqje vëmendjeje; tjetra, lidhur me një publikim në një portal, u vlerësua jashtë juridiksionit të AMA-s.

Në vitin 2024: 1 ankesë, lidhur me një publikim në një portal, e vlerësuar jashtë juridiksionit të AMA-s.

Në vitin 2025: 1 ankesë, lidhur me një raportim televiziv, e cila pas shqyrtimit rezultoi e pambështetur.

Në periudhën janar-korrik 2026: 33 ankesa me objekt pretendime për dezinformim. Prej tyre, 25 lidheshin me të njëjtin material audioviziv. Në 26 ankesa është reaguar me tërheqje vëmendjeje; për ankesat e tjera, sipas rastit, nuk është konstatuar shkelje ose përmbajtja është vlerësuar jashtë juridiksionit të AMA-s.

Numri i ankesave tregon pretendimet e paraqitura, jo numrin e shkeljeve të provuara. AMA i shqyrton këto pretendime vetëm kur përmbajtja hyn në fushën e zbatimit të ligjit nr. 97/2013 'Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë', i ndryshuar”, ka bërë me dije Armela Krasniqi./ CNA

 





Lajmet e fundit nga