Ish-shefi i inteligjencës gjermane, August Hanning, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh, tradhti dhe marrje informacioni të klasifikuar për një fuqi të huaj, njofton Zyra e Prokurorit Federal Gjerman.
Hanning drejtoi Shërbimin Federal të Inteligjencës (BND) nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe që atëherë ka punuar si konsulent privat.
Prokurorët pretendojnë se ai përdori inteligjencë të klasifikuar për të "hartuar një analizë" për një shërbim të huaj inteligjence dhe mbajti kontakt me një shërbim tjetër të huaj spiunazhi. Hetuesit nuk kanë zbuluar se cilat fuqi të huaja ishin të përfshira.
Policia arrestoi gjithashtu ish-punonjësin e BND-së, Mandred D, duke e akuzuar atë se i kishte dhënë Hanning rreth 2,000 dokumente të klasifikuara në këmbim të parave.
Manfred D, i cili ishte shefi i zyrës së Hanning dhe mbeti në BND deri këtë vit, akuzohet për ndihmë dhe inkurajim të tentativës për tradhti dhe spiunazh tradhtar.
Mediat lokale raportuan se Hanning u arrestua në shtëpinë e tij në Nordwalde pranë Münster, ndërsa Manfred D u arrestua në Bavari. Hanning do të paraqitet në gjykatë të mërkurën dhe Manfred D do të paraqitet të martën.
Prokurorët thonë se Mandred D, i cili shërbeu gjithashtu si shef i stafit për pasardhësit e Hanning midis viteve 2012 dhe 2026, e përdori rolin e tij për të fituar qasje në informacione shumë konfidenciale, të cilat më pas ia kaloi Hanning "në këmbim të shpërblimit".
"Gjetjet aktuale sugjerojnë se, gjatë viteve, Manfred D i ka siguruar Hanning-ut afërsisht 2,000 dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara që do të përdoreshin ekskluzivisht nga Shërbimi Federal i Inteligjencës për qëllime të brendshme", thuhet në deklaratë.
