Katër persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të dy procedimeve të koduara “Vendimi” dhe “Shkolla të pastra”, nën dyshimin për përfshirje në shitjen e lëndëve narkotike.
Sipas Policisë së Tiranës, në kuadër të operacionit “Vendimi” është arrestuar Klodian Duro, 41 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit ishte dhënë një dënim me 5 vite burgim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Policia thotë se gjatë vitit 2025, Duro kishte shitur doza kokaine, ndërsa lëvizte me një automjet taksi që e drejtonte në mënyrë të parregullt.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, janë arrestuar tre persona, K. D., 27 vjeç, M. C., 22 vjeç dhe M. K., 30 vjeç. Për ta ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas Policisë, tre të arrestuarit ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se shisnin lëndë narkotike në doza pranë institucioneve arsimore në Tiranë.













