Bojkoti i avokatëve zbret në Kuvend, opozita kërkon zgjidhje, Gogu: E rregullon konventa

Nga Indrit Maraku
6 Tetor 2026, 14:47 | Politikë

Komisioni i Ligjeve miratoi Konventën e Këshillit të Europës për mbrojtjen e profesionit të avokatëve. Opozita shfrytëzoi mundësinë për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë lidhur me konfliktin e krijuar nga rregullorja e Gjykatës së Posaçme dhe avokatëve.

“Ka dalë një rregullore nga GJKKO-ja në lidhje me mënyrën e sjelljes së avokatëve kur futen në ambientet e GJKKO-së. A bie në kundërshtim me këtë konventë? Edhe kjo rregullorja e GJKKO-së, edhe kjo që po miratojmë sot, nuk janë në të njëjtin sinkron me njëra-tjetrën”, pyeti deputeti demokrat Arjan Ndoja.

“Me miratimin e konventës, ne duhet që të gjitha standardet e konventës të mishërohen në aktet ligjore dhe nënligjore që miratojmë, qoftë për pjesën e Ministrisë së Drejtësisë, por qoftë edhe për organet e pavarura të drejtësisë”, iu përgjigj ministri Toni Gogu.

“Kur këta s’merren vesh, duhet të ndryshojmë ligjin, siç ka ndodhur në raste të tjera”, tha Ndoja, përcjell A2 CNN. “Nuk mundet të kalojmë përtej kompetencave që na ka dhënë Kushtetuta dhe ligji. Dhe në këtë moment, ne bashkohemi me shqetësimin”, tha Gogu.

Edhe Kuvendit iu kërkua të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje, por Ulsi Manja nuk shfaqi shqetësim për situatën.

“Kemi dy aktorë, Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin e Shqipërisë, të cilët, në vlerësimin tim, po heshtin qëllimisht për të nxitur vijimin e një konflikti sa absurd dhe të qëllimshëm”, tha deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

“Kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të nxisë dialogun ndërinstitucional mes GJKKO-së dhe Dhomës. Po le të takohen Dhoma me GJKKO-në. S’duan të takohen, mos takohen”, tha Ulsi Manja.

“A është e shqetësuar Ministria e Drejtësisë dhe, brenda kompetencave që ka, a është duke e ndjekur situatën? Patjetër”, tha Gogu. “Nuk e ka kompetencë Kuvendi t’i thërrasë këta. Po s’e ka. Jo. Të thërret kryetarin e KLGJ-së në seancë dëgjimore, thërret kryetarin e KLP-së, por nuk thërret dot kryetarë gjykatash”, tha Manja. “Nuk na rezulton që jemi përballë nevojës për ndryshime ligjore”, tha ministri i Drejtësisë.

Për socialistët, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale barazojnë fushën e lojës mes avokatëve dhe prokurorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos