“Nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë me klimën që kemi njohur”, Nazim Gruda, president i Unionit të Akademive Evropiane: Teknologjia duhet të arrijë edhe te fermeri i vogël

6 Tetor 2026, 16:00Sociale TEMA

Ndryshimet klimatike po prekin gjithnjë e më drejtpërdrejt edhe atë që prodhojmë dhe hamë, ndërsa teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si funksionon bujqësia. Për këto sfida flet në një intervistë për TemA Prof. Dr. Nazim Gruda, i zgjedhur së fundmi president i Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), një organizatë që bashkon akademi shkencore nga vende të ndryshme të Europës dhe synon të afrojë shkencën me vendimmarrjen për bujqësinë, ushqimin dhe mjedisin.

Me një karrierë të gjatë akademike në Gjermani dhe kërkime të fokusuara te hortikultura, serrat, kultivimi pa tokë dhe ndikimi i klimës, Gruda paralajmëron se nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë duke u mbështetur te klima që kemi njohur deri sot. Ai flet gjithashtu për teknologjitë e reja që po hyjnë në ferma dhe për rrezikun potencial që fermerët e vegjël të mbeten pas këtij transformimi.

 

Profesor Gruda, së pari urime për zgjedhjen si President i Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEEA). Për ata lexues të gazetës TemA, që mund të mos kenë shumë njohuri në lidhje me UEAA, cili është roli i kësaj organizate dhe çfarë përfshin pozicioni juaj i ri?

Ju falënderoj për urimin. Siç e thotë edhe emri, UEAA është një union, një organizatë ombrellë që bashkon akademi evropiane në fushat e bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit. Disa prej tyre kanë një traditë mbi dyqindvjeçare, duke sjellë në këtë bashkim një pasuri të jashtëzakonshme historie, përvoje, dijesh shkencore dhe autoriteti. Më lejoni të përmend disa shembuj. Në gjirin tonë kemi Accademia dei Georgofili, të themeluar në vitin 1753, akademinë më të vjetër të bujqësisë në botën perëndimore, si dhe Akademinë e Bujqësisë të Francës, me zanafillë në vitin 1761 dhe me një traditë të gjatë të lidhjes së shkencës me praktikën bujqësore dhe debatin publik.

Akademia Mbretërore Suedeze e Bujqësisë dhe Pylltarisë sjell përvojën e saj në zhvillimin e qëndrueshëm dhe administrimin e burimeve natyrore, ndërsa Akademia e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore “Gheorghe Ionescu-Șișești” e Rumanisë e lidh kërkimin me zbatimin praktik përmes rrjetit të instituteve dhe stacioneve kërkimore, duke mbuluar një sipërfaqe prej 45 000 ha. Dhe këto janë vetëm disa shembuj. Unioni pasurohet gjithashtu nga akademi kombëtare me një profil më të gjerë shkencor, si Akademia Lituaneze e Shkencave, Akademia e Shkencave e Lisbonës, e themeluar më 1779, apo akademia jonë. Pikërisht ndërthurja e këtyre traditave dhe kompetencave i jep UEAA-së mundësinë të trajtojë problemet e sotme të bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit nga këndvështrime të ndryshme e plotësuese.

“Nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë me klimën
Gjatë punimeve të takimeve të UEAA-s në Tiranë.

Roli i unionit është të nxisë bashkëpunimin shkencor dhe të ndihmojë që njohuritë shkencore të shërbejnë për një bujqësi më të qëndrueshme, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Ai mundëson shkëmbimin e përvojave dhe përcjelljen e informacionit të mbështetur në shkencë te publiku dhe vendimmarrësit.

Si president, përgjegjësia ime është të udhëheq veprimtarinë e Unionit, në bashkëpunim me Komitetin Drejtues dhe akademitë anëtare, të bashkërendoj nismat e përbashkëta dhe të përfaqësoj organizatën. Për mua, kjo detyrë është një mundësi për të forcuar ndikimin e shkencës në trajtimin e sfidave që prekin drejtpërdrejt fermerët, konsumatorët dhe mjedisin.

Cilat shihni si prioritetet kryesore të UEAA-së gjatë presidencës tuaj? A ka çështje specifike shkencore ose politike në agrikulturën europiane dhe prodhimin e ushqimit që besoni kërkojnë më tepër vëmendje në kohën në të cilën po jetojmë?

Gjatë presidencës sime, synoj të përqendrohem në katër prioritete: forcimin e ndikimit të UEAA-së në hartimin e politikave të Bashkimit Evropian; mbështetjen e akademive evropiane dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre; zgjerimin e anëtarësisë së Unionit; dhe përfshirjen më të gjerë të studiuesve të rinj në veprimtarinë e tij. Një vëmendje të veçantë do i kushtoj rritjes së përfaqësimit dhe kontributit të vendeve të vogla dhe të rajonit tonë si edhe strategjisë afatgjatë të vetë unionit.

Në planin shkencor, vëmendje të veçantë meritojnë përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike, ruajtja e tokës dhe ujit, si dhe prodhimi i ushqimit të sigurt e cilësor me më pak burime. Teknologjitë e reja, nga përmirësimi gjenetik te bujqësia digjitale dhe sistemet e kontrolluara të kultivimit, duhen vlerësuar mbi bazën e provave shkencore, përfitimeve dhe rreziqeve të tyre.

Në planin e politikave bujqësore, mendoj se kërkon më shumë vëmendje lidhja ndërmjet objektivave mjedisorë dhe mundësive ekonomike të fermerëve. Kalimi drejt një bujqësie më të qëndrueshme duhet të jetë edhe i përballueshëm për ta. UEAA ofron një ekspertizë të pavarur dhe rekomandime të argumentuara, që vendimet të marrin parasysh njëkohësisht mjedisin, prodhimin dhe sigurinë ushqimore.

Kërkimet tuaja shkencore përqendrohen gjerësisht tek hortikultura dhe serrat. Cili është për ju transformimi më i rëndësishëm që po i ndodh mënyrës si prodhohen sot frutat dhe perimet?

Për mua, transformimi më i rëndësishëm është kalimi drejt një hortikulture ku kushtet e prodhimit përshtaten gjithnjë e më saktë me nevojat e bimëve. Në serra, kjo shprehet përmes menaxhimit të temperaturës, dritës, lagështisë dhe ujitjes, duke mundësuar prodhim më të qëndrueshëm dhe cilësi më të njëtrajtshme të frutave e perimeve.

Megjithatë, përparimi nuk matet vetëm me rendimentin apo pajisjet moderne. Ai ka vlerë kur përmirëson cilësinë, përdor me kujdes ujin dhe energjinë dhe rrit të ardhurat e fermerit. Sfida është që risitë të përshtaten me kushtet lokale dhe të jenë të arritshme edhe për prodhuesit e vegjël.

Ju pyes për këtë sepse duket sikur njerëzit sot, në Shqipëri dhe kudo, ankohen se perimet dhe frutat nuk kanë shijen që kanë patur dikur në fëmijërine e tyre. A ka një të vërtetë me bazë shkencore pas kësaj? E kemi sakrifikuar realisht shijen dhe vlerat ushqyese të perimeve, në këmbim të zgjatjes së jetës së tyre në raftet e supermarketeve?

Po, kjo përshtypje ka një bazë shkencore, por nuk vlen njësoj për të gjitha frutat dhe perimet dhe mbi te gjitha nuk duhet përgjithësuar. Te disa domate, për shembull, studimet kanë treguar se disa varietete moderne kanë më pak përbërës që përcaktojnë shijen dhe aromën. Përzgjedhja për rendiment, pamje dhe qëndrueshmëri gjatë transportit e ruajtjes jo gjithmonë i ka kushtuar vëmendjen e duhur shijes.

Po këtu ndikon edhe koha e vjeljes dhe mënyra e ruajtjes. Një frut i pjekur në bimë, nuk mund të krahasohet me atë që ka kaluar ditë në transport e magazinim. Pjekuria dhe kushtet pas vjeljes ndikojnë në zhvillimin dhe ruajtjen e shijes.

Për vlerat ushqyese, megjithatë, duhet të jemi më të kujdesshëm: një frut më pak aromatik nuk është domosdoshmërisht më pak ushqyes. Nuk mund të themi në mënyrë të përgjithshme se i kemi sakrifikuar të dyja për jetëgjatësinë. Madje, ka kultivar të rinj, që bashkojnë shijen e mirë me qëndrueshmërinë në ruajtje.

Për mua, synimi duhet të jetë që shija dhe cilësia ushqyese të kenë të njëjtën peshë si rendimenti dhe jetëgjatësia. Konsumatori duhet të ketë arsye ta blejë sërish një prodhim. Këtu merr rëndësi ruajtja e varieteteve vendase dhe përfshirja e tyre në punën seleksionuese për të ndërthurur tiparet e dëshirueshme të shijes dhe cilësisë me prodhimtarinë e lartë.

“Nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë me klimën
Nga vizita e Bankës Gjenetike për ruajtjen e farave në QTTB Lushnje në ditën e dytë të veprimtarisë së UEAA në Shqipëri.

Po aq rëndësi ka përmirësimi i cilësisë përmes mënyrës së kultivimit. Një shembull, që e kam përmendur edhe më parë, është ndikimi i kripësisë së tokës dhe ujit në cilësinë dhe shijen e prodhimeve. Në kushte të caktuara dhe me menaxhim të kujdesshëm, një nivel i moderuar kripësie mund të përmirësojë disa tipare të cilësisë, p.sh. të domates. Kjo kërkon një ndryshim këndvështrimi: ta shndërrojmë një kufizim të mundshëm në përparësi, duke mbajtur parasysh ndikimin në rendiment.

Kjo nga pikëpamja shkencore, por nuk duhet të harrojmë edhe një fakt: perimet dhe frutat që hamë sot nuk janë prodhuar të gjitha në vend.

Një nga fushat tuaja studimore është edhe kultivimi në sisteme pa tokë, ku bimët e marrin ujin dhe lëndët ushqyese në mënyrë shumë më të kontrolluar. Pse po bëhet kaq e rëndësishme kjo për bujqësinë moderne?

Rëndësia e kultivimit pa tokë lidhet me nevojën për të prodhuar ushqim cilësor duke përdorur më me kujdes ujin, plehrat dhe hapësirën. Këto sisteme mundësojnë furnizimin e bimëve me ujë dhe lëndë ushqyese sipas nevojave të tyre, si dhe prodhimin në zona ku toka është e papërshtatshme ose e prekur nga sëmundjet.

“Nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë me klimën

Përparësi të veçantë kanë sistemet e mbyllura, ku tretësira ushqyese mblidhet dhe ripërdoret. Kjo mund të ulë konsumin e ujit dhe humbjet e lëndëve ushqyese në mjedis. Megjithatë, suksesi kërkon investime, njohuri teknike dhe menaxhim të kujdesshëm të energjisë e të cilësisë së ujit.

Për mua, vlera e kësaj teknologjie qëndron te mundësia për të prodhuar më mirë aty ku burimet janë të kufizuara. Zgjedhja e sistemit duhet t’u përshtatet kulturës, kushteve lokale dhe mundësive ekonomike të fermerit.

Çfarë humbasim nëse rrisim, për shembull një domate, në sisteme pa tokë? Nëse humbasim diçka… A ka një bazë shkencore lidhja jonë me tokën, apo është pjesërisht emocionale dhe kulturore?

Jo domosdoshmërisht humbasim. Një domate e kultivuar pa tokë mund të ketë cilësi të krahasueshme me atë të rritur në tokë dhe, për disa tregues, madje edhe më të mirë. Kjo varet nga kultivari i mbjellë, ushqimi i bimës dhe shkalla e pjekurisë në vjelje. Studimet krahasuese nuk mbështesin mëtimin se mungesa e tokës e bën vetvetiu domaten më pak cilësore.

Ajo që ndryshon është mjedisi i rrënjëve: marrim përsipër të menaxhojmë më drejtpërdrejt furnizimin me ujë, ushqyes dhe oksigjen. Kjo jep mundësi për kontroll më të saktë, por kërkon edhe njohuri e përgjegjësi më të madhe në kultivim.

Lidhja jonë me tokën ka një bazë reale biologjike dhe ekologjike, por edhe një përmasë të fortë emocionale e kulturore. Toka lidhet me vendin, traditën dhe kujtesën tonë. Kjo lidhje meriton respekt dhe toka do të vijojë të mbetet mjedisi kryesor i prodhimit bujqësor.

Dhe këtu dua të sqaroj se kultivimi ‘pa tokë’ nuk nënkupton mënjanimin tërësor të tokës. Së pari, serrat ndërtohen mbi tokë dhe nuk qëndrojnë pezull në ajër! Së dyti, shpesh përdoren substrate organike, si fibra e kokosit, ose minerale, si perliti dhe leshi i gurit, si mjedise për kultivimin e bimëve. Uji dhe lëndët ushqyese furnizohen në mënyrë të kontrolluar. Kështu mund të prodhojmë edhe aty ku tokat janë më pak pjellore, përfshirë edhe ato kripëzuara.

Duke iu kthyer pyetjes suaj, për mua, kultivimi ‘pa tokë’ është një mundësi plotësuese për bujqësinë; ruajtja e tokës mbetet e pazëvendësueshme.

Ndryshimet klimatike janë një nga problemet kryesore me të cilat përballemi sot. Megjithatë, në shumicën e rasteve, i diskutojmë ato në lidhje me thatësirat, zjarret dhe ngjarjet ekstreme të motit. A mund të arrijmë një pikë ku do të jetë e vështirë, ose e pamundur që të kultivojmë ushqime të caktuara, për shembull në Europën jugore, duke qenë se bëjmë pjesë në të?

Po, ky është një rrezik real, sidomos për Evropën Jugore dhe Mesdheun, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Viti 2024 hyri në histori si më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në nivel global, duke shfaqur kontraste ekstreme në kontinentin evropian. Ndërsa Evropa Perëndimore u përfshi nga reshje të jashtëzakonshme, rajonet juglindore u goditën nga një thatësirë e rëndë dhe valë të zgjatura të nxehti. Mungesa e lagështisë në tokë gjatë fazave kritike të rritjes së kulturave bujqësore shkaktoi dëme të mëdha.

“Nuk mund ta planifikojmë më bujqësinë me klimën
Numri i ditëve me "stres të fortë termik" në Evropën Juglindore

Në vitin 2024 u regjistruan 66 ditë të tilla — më shumë se dyfishi i mesatares historike (Copernicus, 2024, https://climate.copernicus.eu/esotc/2024).

Për disa kultura, në zona dhe stinë të caktuara, prodhimi mund të bëhet gjithnjë e më i vështirë, ekonomikisht i paleverdishëm dhe, në kushte të skajshme, i pamundur. Kjo nuk do të ndodhë njësoj kudo: do të varet shumë nga niveli i ngrohjes, uji dhe aftësia jonë për t’u përshtatur. Edhe ndryshimet e shkallëzuara të temperaturave ndikojnë në ciklin e bimëve, kohën e pjekjes, rendimentin dhe cilësinë e prodhimit. Mund të kemi ende mundësi ta kultivojmë një bimë, por të mos marrim më prej saj të njëjtën sasi apo cilësi. Kjo mund të kërkojë ndryshimin e llojeve, të kalendarit të kultivimit ose të zonave të prodhimit.

Një shembull domethënës është Almería, në Spanjë, zona me përqendrimin më të lartë të serrave të perimeve në Evropë. Suksesi i saj mbështetet te drita e bollshme, dimri i butë dhe investimet në teknologji, ndërkohë që tokat vendase janë ranoro-gurishtore dhe kanë kufizime të theksuara në pjellori. Për t’i kapërcyer ato, është përhapur sistemi tradicional enarenado: një shtrat me shtresë dheu, lëndë organike dhe mbulesë rëre, që ul avullimin dhe ndihmon ruajtjen e lagështisë. Almería dëshmon se njohuritë dhe investimet mund t’i kthejnë përparësitë klimatike në sukses bujqësor, edhe kur pjelloria natyrore e tokës është e kufizuar.

Nëse analizojmë gjendjen e bujqësisë në Shqipëri, hartat tona të prodhimit nuk mund të mbështeten më te klima që kemi njohur deri më tani. Një pemëtore që mbillet sot duhet të prodhojë për dekada, ndaj çdo vendim kërkon vlerësim afatgjatë se cilat kultura dhe varietete do t'u përshtaten kushteve të ardhshme në çdo zonë.

Nëse historikisht, në kohë kur unë kam përfunduar shkollën e lartë, problemi kryesor i fushave tona ishte kullimi dhe largimi i ujërave të tepërta, sot, nën efektet e ndryshimeve klimatike, sfida kryesore është ujitja. Ky realitet i ri na gjen përballë një degradimi serioz të infrastrukturës ujitëse, ku investimet themelore datojnë që para dhjetëra vitesh. Shifrat relative flasin vetë dhe dëshmojnë mungesën e investimeve strategjike në sektor: aktualisht, vendi ynë ujit më pak se 10% të asaj që lejojnë kapacitetet tona reale grumbulluese. Ky hendek mes potencialit ezistues dhe shfrytëzimit real është një tregues i qartë i mungesës së investimeve strategjike në sektor.

Nga ana tjetër, një tjetër problem madhor është humbja graduale e tokës bujqësore. Edhe ky është një gabim strategjik. Shkenca dhe teknologjia sot mundësojnë përmirësimin dhe shfrytëzimin e këtyre tokave (si p.sh. ato të kripëzuara). As nismat për instalimin e energjive të rinovueshme nuk duhet të bëhen në dëm të bujqësisë. Përmes praktikave te reja si agro-fotovoltaika, ne mund të sigurojmë si energjinë e pastër, ashtu edhe prodhimin vendas, duke shfrytëzuar të njëjtën sipërfaqe toke. Mendoj, serra moderne që shfrytëzojnë sistemet e prodhimit ‘pa tokë’, ndërkohë që mbi to instalohen panelet fotovoltaike. Është e domosdoshme që politika të dëgjojë zërin e specialistit përpara se të marrë vendime me pasoja afatgjatë për ekonominë dhe sektorin bujqësor, që në fund të fundit janë në dem të vendit. Unë e kam ngritur dhe do vijoj ta ngre zërin sa herë të vijë rasti për këtë pikë.

Në serrat moderne, po bëhet e mundur që elemente si temperatura, lagështia apo drita, të kontrollohen në mënyrë gjithnjë e më preçize përmes teknologjisë. Pas njëzet vitesh, a do t’i duhet fermerit të njohë më mirë teknologjinë, softueret dhe inteligjencën artificiale, se sa vetë bimët?

Fermerit do t’i duhet t’i njohë gjithnjë e më mirë të dyja. Teknologjia do të marrë përsipër shumë procese të përditshme, por njohja e bimëve do të mbetet thelbësore për të përcaktuar objektivat dhe për të gjykuar nëse vendimet e sistemit janë të përshtatshme.

Një sensor mund të tregojë temperaturën apo lagështinë, ndërsa inteligjenca artificiale mund të propozojë ndërhyrje. Por interpretimi i tyre kërkon të kuptosh nevojat e bimës në faza të ndryshme të zhvillimit dhe ndikimin që ndërhyrja ka në rendiment, cilësi dhe kosto. Automatizimi është aq i dobishëm sa njohuritë mbi të cilat mbështetet dhe aftësia për të verifikuar rezultatet e tij.

Në këtë drejtim, shoh potencial të madh te binjakët digjitalë: modele virtuale të serrës dhe të bimëve, që përditësohen me të dhëna nga sensorët. Ata mund të na ndihmojnë të provojmë paraprakisht se si ndryshimi i temperaturës, ujitjes apo ndriçimit do të ndikonte në rritjen e bimëve dhe në konsumin e burimeve, përpara se të ndërhyjmë në serrë. Por besueshmëria e tyre varet pikërisht nga sa mirë njohim dhe modelojmë proceset biologjike të bimës.

Pas njëzet vitesh, e shoh fermerin më shumë si drejtues të një sistemi kompleks prodhimi, të mbështetur nga agronomë dhe specialistë të teknologjisë. Nuk do të jetë e nevojshme që çdo fermer të bëhet programues, por do t’i duhet të kuptojë të dhënat, të përdorë mjetet digjitale dhe të dallojë kur duhet të ndërhyjë. Bima do të mbetet në qendër; teknologjia do të na ndihmojë ta kuptojmë dhe t’i përgjigjemi më mirë.

A rrezikon që ky transformim teknologjik t’i lërë pas fermerët e vegjël, duke krijuar një sistem bujqësie me dy nivele, mes fermave të sofistikuara teknologjikisht dhe që prodhojnë më shume dhe pastaj gjithë të tjerët?

Po, ky rrezik ekziston dhe duhet marrë seriozisht. Nëse teknologjia kërkon investime dhe njohuri që fermerët e vegjël nuk i përballojnë dot, ajo mund ta thellojë hendekun mes tyre dhe fermave të mëdha. Në Shqipëri, këtë vështirësi e shton copëzimi i tokës: një fermë e vogël shpesh përbëhet nga disa parcela të ndara, çka vështirëson mekanizimin, ujitjen dhe përdorimin ekonomik të pajisjeve.

Prandaj, modernizimi duhet të shoqërohet me mbështetje për investime të përshtatshme, trajnim dhe këshillim bujqësor, por edhe me organizim më të mirë të prodhimit. Bashkëpunimi ndërmjet fermerëve dhe bashkimi funksional i parcelave, pa ndryshuar domosdoshmërisht pronësinë, mund të mundësojnë përdorimin e përbashkët të pajisjeve, ujitjes dhe shërbimeve digjitale. Edhe zgjidhje të thjeshta, si sensorët për ujitjen apo paralajmërimet për sëmundjet, mund të sjellin përfitime konkrete.

Një fermë e vogël mund të jetë konkurruese edhe përmes cilësisë, varieteteve vendase, freskisë dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me konsumatorin. Teknologjia duhet t’i forcojë këto përparësi. Për mua, suksesi i këtij transformimi matet edhe me numrin e fermerëve që arrijnë të përmirësojnë të ardhurat dhe të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Për Shqipërinë, organizimi i prodhimit është po aq i rëndësishëm sa vetë teknologjia.

Ne kërkojmë që ushqimet të kenë çmime sa më të përballueshme, ndërsa duam gjithashtu që fermerët të fitojnë më tepër, por njëkohësisht edhe të përdoren sa më pak pesticide dhe të përmirësojmë standardet e mjedisit. A mund të ndodhin të gjitha këto në të njëjtën kohë? A është realiste, apo ka kompromise të pashmangshme që duhen bërë dhe për të cilat ndoshta nuk flasim aq sa duhet?

Mund të bëjmë përparim në të gjitha këto drejtime, por jo gjithmonë njëkohësisht dhe pa kosto. Përdorimi më i saktë i ujit dhe plehrave, mbrojtja e integruar e bimëve dhe ulja e humbjeve mund të përmirësojnë të ardhurat e fermerit dhe të pakësojnë ndikimin mjedisor. Megjithatë, standardet më të larta kërkojnë shpesh investime, ndaj fermerët kanë nevojë për mbështetje.

Duhet të kemi parasysh se çmimet ndikohen edhe nga faktorë jashtë fermës. Ekonomia jonë është e hapur ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe luhatjet e çmimeve të ushqimeve, energjisë e transportit transmetohen edhe në tregun vendas. Këta faktorë të krijojnë presione të reja rritëse, megjithëse hapja tregtare sjell edhe konkurrencë dhe mundësi furnizimi më të lirë. Prandaj, rritja e çmimeve nuk mund t’u atribuohet vetëm kostove të prodhimit apo kërkesave mjedisore.

Turizmi e shton më tej kërkesën. Në kushtet e sotme, Shqipëria regjistron një numër hyrjesh të shtetasve të huaj që është disa herë më i lartë se popullsia e saj rezidente. Ky fluks krijon mundësi për prodhuesit vendas, por edhe presion mbi çmimet, sidomos kur oferta nuk i përgjigjet kërkesës sezonale.

Ne po e nxisim turizmin për të ardhurat dhe punësimin që sjell, por duhet të mësojmë edhe nga përvoja e Majorkës dhe zonave të tjera të Spanjës. Protestat atje kanë ngritur shqetësime mbi pasojat e turizmit masiv në jetën e banorëve. Në këtë këndvështrim do t’i shihja edhe shqetësimet dhe protestat në vendin tonë: kërkesa që përfitimet të ndihen nga vetë shqiptarët është e arsyeshme. Kjo nënkupton më shumë furnizime nga fermerët vendas, punësim të paguar denjësisht dhe investime në shërbimet publike. Për mua, suksesi matet me përmirësimin e jetës së banorëve, krahas rritjes së numrit të vizitorëve.

Ju jetoni dhe punoni në Gjermani prej më shumë se tridhjetë vjetësh dhe nuk dua t’iu kërkoj të bëni përgjithësime për bujqësinë në Shqipëri sot, por nisur nga fusha juaj studimore, a ka zhvillime në hortikulturën europiane, që mendoni se mund të jenë veçanërisht të vlefshme për Shqipërinë?

Sot, zhvillimi shkencor dhe teknologjik ka karakter global: një risi e një vendi përhapet shpejt edhe në vende të tjera. Risitë në hortikulturën evropiane po bëhen gjithnjë e më shumë nevojë për përballimin e ndryshimeve klimatike. Ndër drejtimet kryesore janë rritja e qëndrueshmërisë së bimëve ndaj streseve klimatike dhe menaxhimi inteligjent i ujitjes përmes sensorëve dhe digjitalizimit. Për perimet, kjo përfshin përshtatjen e sistemeve të mbrojtura të kultivimit; për pemëtoret, përzgjedhjen e nënshartesave më tolerante ndaj thatësirës dhe përdorimin e rrjetave mbrojtëse kundër breshërit dhe rrezatimit të tepërt diellor.

Këto qasje njihen edhe në Shqipëri. Sfida është që zbatimi i tyre të shtrihet më gjerë dhe teknologjia të arrijë edhe te fermeri i vogël. Për këtë nevojiten ferma demonstruese dhe këshillim praktik në terren. Për mua, risia më e vlefshme është ajo që provohet në kushtet tona lokale dhe i sjell fermerit një përmirësim të matshëm në cilësi, kosto dhe të ardhura.

Për ta arritur këtë, duhen ndërtuar ura të qëndrueshme të transferimit të dijes. UEAA bashkon specialistë të shquar nga e gjithë Evropa. Institucionet shqiptare dhe organizatat e fondacionet ndërkombëtare që veprojnë në vend duhet ta shfrytëzojnë këtë potencial, si edhe mundësinë që ofron presidenca shqiptare e Unionit gjatë dy viteve të ardhshme. Nga ana ime dhe e kolegëve të mi ka gatishmëri të plotë për të ndarë njohuritë dhe përvojën tonë, në bashkëpunim me specialistët dhe prodhuesit në vend.

Së bashku mund të kontribuojmë në një sektor me peshë të madhe në ekonominë dhe punësimin e vendit, nga i cili varen ushqimi ynë i përditshëm dhe jetesa e shumë familjeve shqiptare. /Intervistoi Bjorn Runa

Lini një Përgjigje