Berisha: Abuzime me kompaninë “Kayo”. Rama, Balluku dhe Ron Yeffet skemë për të përfituar nga fondet publike

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka krijuar të gjitha mundësitë biznesmenit Ron Yeffet për të marrë nga buxheti i shtetit 45 milionë euro.
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha së bashku më deputetin Klevis Balliu publikuan disa dokumenta që lidhen me kompaninë e prodhimit të armëve Kayo, duke pretenduar se kryeministrin Edi Rama, ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe biznesmen Ron Yeffet kanë ngritur një mekanizëm, që sipas tyre ka prodhuar përfitime prej dhjetëra milionë eurosh.
“Edi Rama miraton ligje dhe vendime për të ndërtuar këtë skemë piramidale të tmerrshme, por kësaj here kryekëput në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Kompania e famëziut Ardi Veliu, që u krijua për këtë qëllim, shpejt bashkohet me Roni Yeffet duke i dhënë atij 80 përqind të aksioneve, aksione të cila të bazuara në fonde publike dhe pronë shtetërore. Imagjinoni ju, Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-kombinatin e traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit”, tha Berisha.
Por sipas Berishës, kjo skemë nuk është vetëm korruptive, por cënon sigurinë e vendit
“Roni Yeffet me Miss Autoblindin blinin armë në zona lufte, në Sudan dhe në vende të tjera të Afrikës, i sillnin në Shqipëri, u vinin etiketa shqiptare në një mashtrim të madh për t’i shitur në Ukrainë“, shtoi Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha deklaroi se ish-shefja e shërbimit sekret Vlora Hyseni kishte lidhje me biznesmenin Ron Yeffet
“Në komisionin e sigurisë, Vlora Hyseni e pyetur për lidhjet me Ergys Agasin, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të veçantë me të dhe ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. E kuptoni se si është i ngërthyer i quajturi shërbimi informativ kombëtar, në njërën anë Agasi, në anën tjetër Roni Yeffet”, tha Berisha.
Berisha theksoi se të gjitha dokumentat që PD ka do t’i çojë në SPAK, por ndërkaq do t’ua çojë edhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi sipas tij afera me kompaninë Kayo cënon sigurinë kombëtare.




