E martë, 6 Tetor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Bizneset përgatiten për tregun e BE, Ibrahimaj: Qeveria po i ndihmon të arrijnë standartet me nisma konkrete

Ndërkohë që Shqipëria është në fazën finale të anëtarësimit në Bashkimin Europian, bizneset me ndihëm e qeverisë po përgatiten për t’u përshtatur me politikat dhe standardet europiane. Fokusi është te përmirësimi i sigurisë, standardeve dhe certifikimit të produkteve “Made in Albania”.

“Përmbushja e standardeve, sigurisht, nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e legjislacionit apo me plotësimin e kutive. Ka të bëjë me të qenit më konkurrues. Ka të bëjë me hyrjen në tregjet europiane. Ka të bëjë me përfitimin e avantazhit të të parëve që lëvizin. Disa vite më parë, ESG dukej disi e largët, diçka që nuk na shqetësonte, diçka shumë larg realitetit shqiptar, por ne po ecim përpara dhe po ecim drejt BE-së”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë Dhe Inovacionit

Reklamë

Për të përshpejtuar këtë proces, qeveria ka vënë në dispozicion edhe programin “Dyfisho Biznesin”, përmes të cilit po u ofrohen bizneseve më shumë mundësi financimi për investime dhe rritje, duke i bërë ato më konkurruese.

“Një pjesë e rëndësishme e mbështetjes lidhet edhe me financimin. Ministrja përmendi programin “Dyfisho Biznesin”, i cili u mundëson bizneseve të aplikojnë për kredi me interes 2% dhe me 70% të kolateralit të mbuluar përmes garancisë sovrane. Në kuadër të këtij programi, një nga synimet është edhe financimi i certifikimeve që u mundësojnë kompanive të përmbushin standardet e kërkuara”, shtoi Ibrahimaj.

Por ekspertët ngrenë shqetësimin se ky proces mund të jetë më i vështirë për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përballen me kosto shtesë dhe mungesë të fuqisë punëtore.

“Nga studimet që janë bërë, 85% e bizneseve do ta kenë shumë të vështirë të përshtaten me këtë treg të madh europian ose të ecin përpara. Pra, shumë prej tyre do të duhet të mbyllen, ndërsa shumë prej atyre që janë të vetëpunësuar do të mbeten pa punë dhe do të duhet të punësohen në vende të tjera ose të marrin rrugën e emigrimit”, u shpreh Gertjana Hasalla, eksperte për punësimin.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rreth 98% e bizneseve që operojnë në vend janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, duke mbajtur një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare.

Për këtë arsye, përshtatja me standardet europiane mbetet një sfidë e rëndësishme, veçanërisht për bizneset me kapacitete të kufizuara financiare dhe njerëzore.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.