
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, KEDNJ, në procesin e vetingut të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova. Gjykata e Strasburgut ka arritur në përfundimin se shkarkimi i prokurorit Kosova ka qenë joproporcional me qëllimet legjitime të reformës në drejtësi. Sipas GJEDNJ-së, është cënuar e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, parashikuar në nenin 8 të KEDNJ-së.
Kosova u konfirmua fillimisht në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Kolegji e shkarkoi atë me shumicë votash më 13 mars të vitit 2020, pas një karriere 34 vjeçare. Trupa gjykuese e KPA u nda në lidhje me peshën e provave të ofruara nga Kosova për burimin e blerjes së një apartamenti në Tiranë në vitin 1998 me vlerë 2.6 milionë lekë.
Problemi i evidentuar prej shumicës ishte fakti se në kontratën për shitjen e apartamentit në Korçë shënohej çmimi i shitjes prej 1 milionë lekësh dhe nuk ishte përmendur një kapar prej 1.5 milionë lekësh, të cilin Kosova shpjegoi se e kishte marrë para se të dorëzonte banesën e mëparshme tek blerësi dhe përpara se të blinte apartamentin tjetër në kryeqytet.
Sipas tre anëtarëve të KPA-së, Kosova nuk kishte arritur të provonte marrjen e kaparit prej 1.5 milionë lekëve dhe për rrjedhojë nuk vërtetohej origjina e ligjshme e kësaj shume që ishte paguar në vitin 1998 për blerjen e apartamentit në kryeqytet. Bazuar në këtë konkluzion, u caktua masa e shkarkimit.
Dy gjyqtarët e KPA-së në pakicë konstatuan se sipas legjislacionit, një marrëveshje paradhënieje nuk duhej të bëhej domosdoshmërisht me shkrim dhe se qëllimi i saj ishte garantimi i lidhjes së një kontrate shitjeje në një moment të mëvonshëm. Ata vlerësuan se deklarimi parë i Kosovës se, e kishte shitur apartamentin në Korçë për një total prej 2.5 milionë lekësh përbënte një provë të rëndësishme, si dhe ishte në përputhje me deklaratën e vetingut e parashtrmet e tij gjatë procesit të rivlerësimit. Pasi morën në konsideratë të gjitha provat në tërësi, dy gjyqtarët në pakicë të KPA-së konstatuan se nuk kishte arsye për të rrëzuar vendimin e KPK-së për konfirmimin e Kosovës.
KPA-ja mbajti një qëndrim të kundërt. Ajo u mbështet kryesisht në kontratën e shitjes së vitit 2002 dhe konstatoi se kërkuesi nuk kishte provuar me dokumente zyrtare marrjen e paradhënies prej 1.5 milionë lekësh. Për këtë arsye, KPA-ja e vlerësoi negativisht në kriterin e pasurisë dhe e shkarkoi nga detyra.
Mënyra se si shumica e trupës së KPA-së ka vlerësuar provat, është një prej elementëve që i është nënshtruar kritikës së GJEDNJ-së, që e cilësoi qasjen si tepër formaliste. Strasburgu vë në dukje se kontrata e shitjes është trajtuar prej shumicës si pothuajse e vetmja provë e besueshme, duke mos e peshuar atë me provat e tjera të lidhura.
Konstatohet në veçanti, shpërfillja që i është bërë deklaratës së parë të pasurisë së vitit 2003, që ka rezultuar në përputhje me deklaratën e vetingut, si dhe faktin se sipas ligjit civil shqiptar, për një marrëveshje paradhënieje nuk kërkohej domosdoshmërisht të ishte e formalizuar me shkrim.
Po ashtu, Strasburguv ëren se KPA-ja nuk ka shpjeguar përse Kosova do ta kishte shitur apartamentin për një shumë dukshëm më të ulët se vlera e tregut. Tjetër element që sillet në vëmendje është edhe koha e hershme e transaksionit, rreth 20 vjet para procesit të vetingut, kur realiteti ekonomiko-financiar në Shqipëri karakterizohej nga një informalitetit dhe paqëndrueshmëri e madhe ekonomike.
Po ashtu, GJEDNJ konstaton faktin se Kosova kishte kaluar me sukses do kriteret e tjerë të vetingut, pasurinë e figurës dhe profesionalizmin, ndërsa shkarkimi ishte kryer vetëm për pasurinë.
Nisur nga fakti se shumica e trupës së KPA-së kishte vendosur shkarkim bazuar pothuajse tërësisht mbi bazën e një dokumenti të vetëm, pa e vlerësuar atë në raport me provat e tjera, Strasburgu arrin në përfundimin se autoritetet shqiptare nuk kishin dhënë arsye me lidhje të mjaftueshme për të justifikuar ndërhyrjen në të drejtën e kërkuesit, për respektimin e jetës së tij private.
Për pasojë, Strasburgu e konsideron shkarkimin joporpocional me qëllimet legjitime të procesit të vetingut.
Po ashtu, u akurdua shpërblim prej 6000 eurosh për dëmin jopasuror dhe 5000 euro për kostot dhe shpenzimet e procedurave në Strasburg.
Në përfundim, duke iu referuar edhe çështjes Sevdari kundër Shqipërisë, Gjykata vlerësoi se në një rast të tillë rihapja e procedurave të vetingut do të ishte e përshtatshme. Për arsye se institucionet e vetingut e kanë përmbyllur mandatin e tyre, për mundësimin e rihapjes së çështjes së vetingut për Kosovën, Strasburgu i referohet përcaktimeve kushtetuese, që rregullojnë se procedurat e mbetura pezull ose të pazgjidhura, do të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese.






