I ftuar në Syri TV me moderatoren Sibora Bitri, deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht drejtues politik i Qarkut Dibër, Xhelal Mziu ka folur për Reformën Territoriale.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Mziu vuri theksin te pavarësia e pushtetit vendor dhe afërsia që duhet të ketë ky pushtet me qytetarët.
Ai tha se reforma e njëanshme e vitit 2015 ka pasur efekte negative në të gjitha qarqet. Janë mbyllur shkolla, qendra shëndetësore dhe zyra të tjera të cilat duhet t’u shërbenin qytetarëve dhe si pasojë ka pasur një shpopullim masiv në qindra fshatra të Shqipërisë.
“Është përdorur një politikë që e ka shpopulluar vendin dhe të mos harrojmë që janë me qindra dhe mijëra fshatra të braktisura. Janë me dhjetëra dhe qindra ish-komuna që kanë ngelur me një gjysmë qendër votimi dhe për pasojë jo vetëm që është zbrazur Shqipëria, po janë edhe vende që kanë një histori shekullore për shkak të luftës që ato kanë bërë me vendet pushtuese si Serbia apo Turqia, pra, me një historik të jashtëzakonshëm dhe sot janë shpopulluar. Partia Demokratike ka kërkuar gjithmonë rritjen e numrit të bashkive, jo për oreks politik, por nga bashkëbisedimi i vazhdueshëm me qytetarët. Partia Demokratike paraqiti dy drafte, një me 94 bashki dhe një me 97 bashki, ndërkohë Partia Socialiste nuk paraqiti asnjë draft me oreksin e kryeministrit që ka ardhur në pushtet me vota të blera.
Tani që ka një mazhorancë me 84 vota, ai e zvogëlon numrin e bashkive sepse ndodh centralizimi. Dhe ai që e pëson është qytetari dhe ai që fiton është partia në pushtet. Prandaj duhet që pushteti vendor të jetë i decentralizuar. Po marrim një shembull konkret, Qarku i Gjirokastrës, që është qarku më i vogël në Shqipëri, kishte 7 bashki, ndërsa Qarku i Lezhës që është sa dyfishi ka vetëm 3 bashki.
Kryeministri i sotëm bën vizatime elektorale dhe nuk pyet për kërkënd. Komisionet që u ngritën nuk konkluduan asgjë sepse nuk u dëgjua asnjë autoritet për Reformën Territoriale. Të gjitha këto nuk u dëgjuan sepse do të jepnin argumente për rritjen e bashkive.”
© SYRI.net