Mr. Bean rikthehen në skenë

Rowan Atkinson rikthehet në skenën e West End-it dhe këtë herë përmes komedisë që shënoi fillimet e karrierës së tij. Aktori dhe komediani britanik, i njohur në mbarë botën për Mr. Bean dhe Edmund Blackadder, do të prezantojë produksionin e ri “Rowan Live”.
Spektakli do të mbahet në në Londër, ku janë parashikuar 30 shfaqje nga 8 shkurti deri më 13 mars 2027.
Publiku do të ketë mundësinë të shohë disa prej personazheve dhe pjesëve humoristike më të njohura të Atkinson, por edhe materiale të reja të krijuara posaçërisht për këtë produksion.
Rikthimi në këtë format ka një rëndësi të veçantë për aktorin, pasi e çon sërish në skenën ku nisi një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tij artistik.
Shfaqja e fundit e humorit që Atkinson realizoi në West End ishte “The New Revue”, në vitin 1986. Ndërsa paraqitja e tij e fundit në skenën e West End-it daton në vitin 2013.
Për “Rowan Live”, Atkinson do të bashkëpunojë sërish me disa prej emrave me të cilët ka punuar në fillimet e karrierës. Mes tyre janë Richard Curtis, Ben Elton dhe Howard Goodall.
Në qendër të spektaklit pritet të jenë edhe një herë personazhet ikonike që e shndërruan Atkinsonin në një prej figurave më të njohura të komedisë britanike.
Mr. Bean dhe Edmund Blackadder do të rikthehen në skenë, ndërsa spektakli do të përfshijë edhe pjesë nga “Not the Nine O’Clock News”.
Krahas materialeve të njohura, Atkinson do të prezantojë edhe pjesë të reja, të përgatitura posaçërisht për këtë rikthim.
Pas dekadash të përqendruara kryesisht te televizioni dhe kinemaja, Rowan Atkinson rikthehet kështu përballë publikut të drejtpërdrejtë, duke bashkuar personazhet klasike me materiale të reja dhe duke rikthyer në skenën e Londrës një prej emrave më të njohur të humorit britanik.


