AKTUALITET, 6 October 2026, 15:05

Përllogaritja/ Sa shpenzon një familje shqiptare, INSTAT: Rreth 95 mijë lekë në muaj, gati 40 përqind për ushqime

Përllogaritja/ Sa shpenzon një familje shqiptare, INSTAT: Rreth 95

Familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për konsum gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave, një familje me mesatarisht 3 persona shpenzoi rreth 95 mijë lekë në muaj ose 2.3% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Por pjesën kryesore të buxhetit familjar vazhdojnë ta zënë ushqimet. Për ushqime dhe pije joalkoolike, një familje shpenzon mesatarisht rreth 38 mijë lekë në muaj, ose rreth 40% të gjithë buxhetit.

Brenda kësaj kategorie, shpenzimet më të mëdha shkojnë për perimet, mishin, qumështin, djathin dhe vezët.

Të dhënat tregojnë se ushqimet vijojnë të zënë pjesën më të madhe të buxhetit të familjeve shqiptare, pavarësisht rritjes së shpenzimeve edhe për argëtim, transport dhe kategori të tjera.

Ndërkohë, për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë, familjet shpenzojnë mesatarisht mbi 9 mijë lekë në muaj.

Risi për vitin që kaloi është fakti se rritjen më të madhe të shpenzimeve  e kanë shënuar shpenzimet për argëtim dhe kulturë, me 10%, ndërsa pas tyre renditen alkooli, duhani, dhe transporti, me 5%.

Në total, shpenzimet mujore të familjeve në Shqipëri arritën në rreth 72.3 miliardë lekë.

Familjet në Tiranë janë ato që shpenzojnë më shumë për konsum në Shqipëri.

Sipas të dhënave për vitin 2025, një familje në qarkun e Tiranës shpenzon rreth 111  mijë lekë në muaj.

Pas Tiranës renditet Korça, ku shpenzimet mesatare mujore rezultojnë mbi 93 mijë lekë, ndërsa më pas vjen Durrësi  .

Në anën tjetër, shpenzimet më të ulëta regjistrohen në Kukës dhe Dibër.

Të dhënat tregojnë një diferencë të ndjeshme mes qarqeve sa i përket nivelit të shpenzimeve familjare, me Tiranën që kryeson me rreth 35 mijë lekë më shumë në muaj krahasuar me Kukësin.