Aktualitet

Çështja e gjyqtarit të vetting-ut Luan Daci në Strasburg, avokati: GJEDNJ konstatoi se Gjykata e Lartë krijoi një vepër të re penale

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 7 të Konventës Evropiane në çështjen e Luan Dacit, kështu deklaroi avokati i tij mbrojtës, teksa e ka cilësuar vendimin si një konfirmim të argumenteve të ngritura prej tij gjatë procesit gjyqësor.

Avokati i Dacit shprehet se GJEDNJ ka pranuar thelbin e argumenteve të mbrojtjes dhe, në arsyetimin e vendimit, ka përfshirë edhe qëndrimet e paraqitura prej tij.

Kjo, sipas mbrojtjes, lidhet me pretendimin se Luan Daci është dënuar mbi bazën e një interpretimi të zgjeruar dhe të paparashikueshëm të ligjit penal.

Avokati argumenton se GJEDNJ ka arritur në përfundimin se edhe për një jurist profesionist do të kishte qenë e vështirë të parashikonte se sjellja për të cilën u dënua Daci mund të sillte përgjegjësi penale. Për këtë arsye, sipas tij, Gjykata Evropiane ka konstatuar shkeljen e nenit 7 të Konventës.

Në deklaratën e tij, avokati rikthen në vëmendje edhe qëndrimin që ka mbajtur prej vitesh mbi kufijtë e interpretimit gjyqësor. Sipas tij, gjykatat nuk mund të marrin kompetencat e ligjvënësit dhe, përmes interpretimit të zgjeruar, të krijojnë norma apo vepra të reja penale në dëm të individit.

Ai e ka cilësuar vendimin e GJEDNJ-së si një fitore për Luan Dacin, duke theksuar se argumentet e mbrojtjes janë bërë pjesë e arsyetimit të Gjykatës Evropiane.

“Sot është një ditë kënaqësie profesionale për mua si avokat mbrojtës i Luan Dacit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut jo vetëm pranoi thelbin e argumenteve që kam ngritur prej fillimit të kësaj çështjeje, por ka cituar shprehimisht në arsyetimin e vendimit qëndrimet dhe argumentet e paraqitura prej meje si mbrojtës i tij.

Në mënyrë veçanërisht domethënëse, GJEDNJ arriti në përfundimin se “the Supreme Court created a new offence in the applicant’s case”, pikërisht një nga tezat themelore mbi të cilat është ndërtuar mbrojtja jonë.

Luan Daci u dënua mbi bazën e një interpretimi të zgjeruar dhe të paparashikueshëm të ligjit penal, pra, në thelb, u dënua pa ligj. GJEDNJ konstatoi se edhe për një jurist profesionist do të kishte qenë e vështirë të parashikonte se një sjellje e tillë mund të sillte përgjegjësi penale dhe, për këtë arsye, konstatoi shkeljen e nenit 7 të Konventës Evropiane.

Prej vitesh kam mbrojtur qëndrimin se gjykatat nuk mund, nëpërmjet interpretimit të zgjeruar, të marrin atributet e ligjvënësit dhe të krijojnë norma apo vepra penale të reja në dëm të individit.

Sot ky qëndrim jo vetëm u konfirmua nga Strasburgu, por argumentet e mbrojtjes u bënë pjesë e vetë arsyetimit të Gjykatës.

Një fitore plotësisht e merituar për Luan Dacin dhe Dacat në tërësi dhe një mesazh që duhet të mbetet: gjykata zbaton dhe interpreton ligjin dhe ajo nuk mund të krijojë veprën penale për të dënuar një njeri”, thuhet në reagimin e plotë.