web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vjelja e ullirit për 2026 pritet me rritje prodhimi, grumbulluesit presin rënie të çmimit

6 Tetor 2026, 15:07, Ekonomi CNA

Vjelja e ullirit për 2026 pritet me rritje prodhimi, grumbulluesit presin

Vjelja e ullirit për vitin 2026 pritet të sjellë një prodhim më të lartë krahasuar me një vit më parë, pavarësisht thatësirës së tejzgjatur. Në zonën e Elbasanit, kultivuesit shprehen se cikli biologjik i bimës, së bashku me shërbimet e kryera në ullishte, pritet të ndikojnë në rritjen e prodhimit.

Vjelja e ullirit pritet të nisë në fund të muajit tetor për disa zona prodhimi dhe në muajin nëntor në mbarë vendin. Sipas kultivuesve në zonën e Elbasanit, pritshmëritë për këtë sezon janë për një prodhim më të lartë, edhe pse kushtet klimatike kanë qenë të vështira.

Rritja e pritshme e prodhimit pritet të shoqërohet me presion për uljen e çmimit në grumbullim. Grumbulluesit parashikojnë që çmimi i vajit të ullirit këtë sezon të jetë më i ulët krahasuar me vitin e kaluar.

Nga fabrikat e përpunimit, për vitin 2025 vaji i ullirit u grumbullua me çmim 700 deri 720 lekë për litër. Ndërsa në 2024, çmimi mesatar i grumbullimit të vajit të ullirit u luhat në vlerat 620 deri në 630 lekë për litër, nën kufirin prej 650 lekë për litër.

Në tregun e pakicës nga fermeri për konsumatorin vaji i ullirit u shit me 800 lekë për litër.

Në gati tri dekada, sipas të dhënave të INSTAT nga 1998 deri në vitin 2025, rezulton se ulliri ka pasur luhatje të ndjeshme, si në prodhim dhe në rendiment.

Në 2025, sipas të dhënave të INSTAT, u prodhua një sasi prej 143,3 mijë tonë ullinj. Krahasuar me 2024, prodhimi i ullinjve ra me 2.2%. Ndërsa rendimenti nga 15.2 kg për rrënjë ra në 14.4 kg për rrënjë.

Në gati 3 dekada sasia më e lartë e prodhimit të ullinjve u arrit në vitin 2022, me një sasi prej 157,7 mijë tonë ullinj apo 43% më shumë se viti paraardhës. Rendimenti i prodhimit ishte 17.2 kg/rrënjë apo 4.7 kg për rrënjë më shumë sesa në 2021.

Përveç 2022 sasia e lartë e prodhimit të ullinjve është arritur edhe në 2012, sidomos pas masave për subvencione të marra nga qeveria nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në 2012 u prodhuan 108 mijë tonë ullinj, me rritje 65% krahasuar me 2011.

Në 2023 sasia e prodhuar e ullinjve arriti në 117,6 tonë ullinj. Krahasuar me 2022 prodhimi i ullinjve ra 25%. Rënie shënoi edhe rendimenti i prodhimit me 4.8 kg për rrënjë në 2023 në raport me vitin 2022. Në 2024 sipas të dhënave të INSTAT u prodhuan 146,7 mijë tonë ullinj. Krahasuar me 2023 sasi e prodhimit u rrit rreth 25%. Në 2024 rendimenti i prodhimit të ullirit arriti 15.2 kg për rrënjë. Në raport me 2023 rendimenti ishte me rënie 2.8 kg për rrënjë./Monitor 





Lajmet e fundit nga