Çështja e gjyqtarit të vetting-ut Luan Daci në Strasburg, avokati: GJEDNJ konstatoi se Gjykata e Lartë kreu një vepër të re penale Aktori i humorit Agron Llakaj ka komentuar në “Shqipëria Live” debatin dhe sulmet e fundit për aktorët e humorit, duke shprehur keqardhje për kolegët që, sipas tij, janë bërë pjesë e një fushate akuzash pas skeçit të humorit për protestën.
Llakaj tha se respekton qëndrimet e të tjerëve dhe se nuk u imponohet atyre, por theksoi se, sipas tij, profesionistët e humorit duhet të kenë përgjegjësi për fjalët dhe veprimet e tyre.
Duke folur për kolegët që, sipas tij, janë përfshirë në sulme ndaj të tjerëve, Llakaj tha se nuk duhej të ishin bërë pjesë e kësaj situate.
Llakaj u ndal edhe te komentet që kanë prekur familjen e tij, duke thënë se është ndjerë keq për mënyrën se si është zhvilluar debati. Ai e përshkroi situatën si një “histeri kolektive” dhe tha se dhuna nuk është vetëm fizike, por mund të shfaqet edhe përmes gjuhës.
“E para është qëndrimi i tyre dhe unë nuk u imponohem dhe, nëse do të ishin këtu në Portokalli, ata nuk do të flinin në këtë frymë. Unë kam pjekurinë e duhur për të ditur se fjalën që nxjerr nga goja, veprimin që bëj. Më erdhi keq, vetëm kam ndjerë keqardhje nga ata të cilët e përdorën. Më vjen shumë keq për ata. Nuk do ta thosha fjalën e madhe “i mëshiroj”, por do të thosha që nuk duhej të ishin bërë pjesë e sulmit dhe e këtij rrjeti për të goditur kolegët e tyre, që sinqerisht meritojnë respekt dhe përulje. Të prodhosh humor duke qëndruar me ditë në punë, por edhe natën me ëndrrën gjithmonë për të bërë diçka të bukur, pa cenuar kënd. E qeshura është e shëndetshme dhe unë mendoj se është ilaçi më i mirë për shëndetin mendor”.
-A ju vjen keq kur kalohet limiti dhe nga komenti juaj si profesionist kalohet në nivelet e komentit edhe të familjarëve tuaj?
“Më ka ardhur keq, jam ndjerë keq, por kur lëshohet topi i borës, ortekut nuk ke çfarë t’i bësh. Më vjen keq që gjithë kjo histeri kolektive, diku-diku më jep edhe ngjyrat e jo thjeshtë një linçimi, por mënyra dhe dhuna e përdorur, në shprehjen se dhuna nuk është vetëm fizike, ka edhe dhunë verbale. Unë do të thosha që çdokush nga ata, për ato që kanë përdorur për mua dhe familjen time, të mendonte se i përdoreshin për familjen e vet. Megjithatë, sinqerisht, i mëshiroj, nuk shaj, nuk fyej, se nuk e kam këtë të drejtë. Unë jam në një kohë në moshën time që sinqerisht nuk e di pse jetën duhet ta shikoje ndryshe. Doja të shikoje një rini më të dashuruar me vendin, më të përkushtuar, por edhe me më shumë besim me njëri-tjetrin.
Nuk jemi aq shumë sa të unifikohemi të ndërtojmë urrejtje kundër njëri-tjetrit, për t’u ndarë njëra palë nga pala tjetër. Demokraci do të thotë diversitet mendimi dhe veprimi, por të gjithë bashkë të unifikuar më shumë në atë që e quajmë zhvillim. Humori nuk mund të shkojë pas shijeve të njerëzve, të popullit, por humori imponon shije dhe është avangardë në zhvillimin shoqëror dhe demokratik të vendit, sepse është opozitar i përjetshëm. Nuk mundet një aktor humori të jetë opozitar për disa kohë e për disa kohë të jetë bufon i pushteteve, jo, kjo është e pa kompromis. Prandaj do t’u thosha: Shikojeni të qeshurën në sy, shikojeni të qeshurën me zemër, jepini të qeshurës portretin, fytyrën, shpirtit dhe na shikoni si njerëz që jo argëtojmë, por nëpërmjet të qeshurës ofrojmë dhe mesazhe qytetare”, tha Agron Llakaj.
Top Channel