Policia e Shtetit ka reaguar pasditen e kësaj të marte, duke dënuar haptazi sulmin e ndodhur ditën e djeshme ndaj gazetarit Bledi Mane, ngjarje për të cilën bën me dije se po kryhen hetimet e nevojshme për identifikimin e personave të përfshirë. Ndërsa theksohet se këta të fundit do të përballen me drejtësinë.
“Në lidhje me incidentin e datës 5 tetor, në Tiranë, ku u sulmua gazetari B. M., strukturat e Policisë po kryejnë veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes pranë organit të Prokurorisë, në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre.”, theksohet në njoftimin e bluve.
Reagimi i bluve vijon më tej ku nënvizohet se askush nuk mund të bëjë ligjin, për të vendosur se kush duhet të ndëshkohet apo jo, nxitur nga këndvështrimet dhe bindjet e ndryshme që qytetarët mund të kenë. Në përmbyllje të reagimit të tyre Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve që të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave të Policisë. Çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim.”, përmbyllet reagimi i Policisë.
Në lidhje me ngjarjen e djeshme ka reaguar dhe gazetari Mane, i cili tregon se ka qenë duke ecur qetësisht në rrugën "Abdi Toptani" dhe është ndjekur nga një grup rreth 30 personash të ashtuquajtur "protestues të revolucionit flamingo", të cilët si fillim e kanë goditur me një vezë dhe një gur të vogël në pjesën e pasme të kokës.
"U detyrova të ndaloj e ti pyes "çfarë kishin me mua personalisht" por turma e agravuar filloi në kor të shante, të fyente e të kërcënonte në mënyrë të organizuar dhe histerike. U përballa me ta në çdo sekondë pa pasur frikë e pa ikur me vrap", shkruan ai.
Më tej, Mane theksoi se turma prej 30 personash, mes të cilëve edhe minorenë, mes sharjeve dhe kërcënimeve i tregonte se si duhet të bëjë gazetari dhe çfarë duhet të shkruajë, e si duhet të flasë në televizor.

