Një 70-vjeçare humbi jetën në një aksident rrugor të regjistruar mbrëmjen e së hënës në aksin Elbasan -Peqin, në afërsi të fshatit Bishqem. Viktima, Drita Xhaja ishte pasagjere në një prej automjeteve që u përplasën kokë më kokë dhe pavarësisht transportimit në spital, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Si pasojë e përplasjes, 3 persona të tjerë mbetën të lënduar, 2 drejtuesit e mjeteve dhe një tjetër pasagjere, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti i mbrëmjes së kaluar ka rikthyer sërish shqetësimin e banorëve të zonës, të cilët kërkojnë më shumë siguri.

-A ndiheni të rrezikuar?

“Ndihemi si s’ndihemi. S’ka ndriçim fare.”

“Për ne dhe këmbësorët është shumë e keqe. Natën vështirësohet, pjesa këtu është shumë e rrezikshme”, thonë drejtuesit e mjeteve.

Shpejtësia tej normave të lejuara, manovrat e gabuara  si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit janë ndër problematikat kryesore që sipas banorëve shtojnë rrezikun për aksidentet.

“Parakalojnë vend e pa vend.”

“Tabelat tregojnë 20, 30, tjetri nuk e respekton fare”, shprehen ata.

Banorët apelojnë për më shumë kujdes nga drejtuesit e automjeteve, por edhe kontrolle më të rrepta, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe shmangien e humbjeve të tjera të jetëve.