Edhe më 6 tetor, protestuesit mbushën sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Kërkesa mbeti e njëjtë si një natë më parë, votimi i projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ai vendim nga kërkesat e qytetarëve, popullit gjithandej është që sot të vendoset, të sillet ligji dhe të kalojë edhe në leximin e dytë, pra me një nen ku e shfuqizon Gjykatën Special”, tha Xhavit Jashari-organizatat e dala nga Lufta.
Organizatori, Clirim Haziri derisa sa tha se protesta do të vazhdojë deri në miratimin e projektligjit, fajësoi pushtetin për intervenimin e dhunshëm të policisë ndaj protestuesve.
“Me urdhër të Albin Kurtit dhe Xhelal Sveçlës, dje u gjakosën sheshet e Prishtinës. U rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve“, deklaroi Çlirim Haziri-organizator i protestës.
Ai tha po ashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën pazar për karrige me ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve.
“Po e kushtëzon mbrojtjen e historisë tonë me kandidat për president që do t’i shërbejë atij. Kjo është e vërteta. Po e nxjerrë në ankand gjakun tonë, vetëm për ta vënë në zyrë njeriun e tij“, u shpreh Çlirim Haziri-organizator i protestës.
Policia e Kosovës njoftoi se do të vazhdohet me masa për mbarëvajtjen e protestës, derisa njoftuan se 20 zyrtarë janë lënduar, bashkë me 12 protestues dhe se 3 janë arrestua.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka iniciuar hetim preliminar mbi sjellën e policisë pas ankesave për tejkalim të autorizimeve policore në përdorim të dhunës.
Derisa protestuesit vazhdonin të qëndronin pranë institucioneve shtetërore, Partia Demokratike e Kosovës, si sponzorizuese e këtij ligji u mblodh e si qëndrim të tyre, paraqitën kërkesën që fillimisht të aprovohet projektligji e pastaj të diskutohet presidenti.
“Ligji duhet të votohet në të dy leximet, të votohet në tërësi. Kjo nuk është çështje që i takon një partie politike”, tha Bedri Hamza-kryetar, PDK.
Se fillimisht ligji e pastaj presidenti ose anasjelltas, kryeministri Albin Kurti, nuk pranoi të flasë të martën.
“Do të flasim në Kuvend a Qeveri”, u shpreh Albin Kurti-kryeministër i Kosovës.
Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretim mbi mandatin e saj.
“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur Presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, thanë nga Zyra e Presidentit. Albulena Haxhiut i ka përfunduar mandati i ushtrueses së detyrës së presidentes më 4 tetor.
Ndërkohë, mesnata e 6 tetorit është koha e fundit kur deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit, ndryshe shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.