Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë pasditen e sotme në një konferencë për media, ku ka folur edhe për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Gjatë konferencës ai u shpreh se procesi në Hagë nuk duhet të lidhet me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë dhe as me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për dy çështje të ndara.
"Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme dhe as me çështjen e presidentit. Këto janë tema të ndara, por që i tejkalojnë të gjitha partitë. Janë çështje të interesit të përbashkët kombëtar", tha Kurti.
Gjithashtu ai u shpreh se ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së mund të korrigjohet në Gjykatën e Apelit, ndërsa bëri thirrje për hartimin e një strategjie shtetërore dhe kombëtare për këtë proces.
"Për katër të dënuarit në shkallë të parë ne besojmë për korrigjim në Apel, ndërsa në anën tjetër një strategji shtetërore kombëtare për ta fituar këtë betejë", deklaroi ai.
Kurti paralajmëroi se dështimi për zgjedhjet e presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, gjë që, sipas tij, do të vështirësonte angazhimin institucional për procesin në Hagë.
"Nuk mund t'i mohojmë pengesat e menjëhershme që kemi para nesh. Mos zgjedhja e presidentit të Kosovës na çon në zgjedhje, por na pamundëson të merremi me strategjinë kombëtare dhe Apelin, që është shumë i ngutshëm", tha Kurti.
Dalja e Kurtit në konferencë erdhi pas një takimi me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe deputetin Glauk Konjufca. Ndërkohë, deputetë të partive parlamentare ndodhen në Kuvend, në pritje të zhvillimeve lidhur me seancën e jashtëzakonshme. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon sot, ndërsa deri në këto momente nuk është thirrur zyrtarisht seanca e Kuvendit.
Po ashtu ai theksoi se presidenti duhet të zgjidhet sot, ndërsa Ligji për Dhomat e Specializuara mundet të votohet më vonë, duke respektuar afatin 72 orësh.
“Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe unë zotohem publikisht se në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara”, u shpreh Kurti.
