Të tjera vajza dhe gra të botës së spektaklit të përfshira në videot intime me Adrian Hilën kanë dëshmuar në Policinë e Tiranës, por asnjëra prej tyre, nuk ka denoncuar me emra, as kompozitorin për vendosjen e kamerës pa dijeninë e tyre, apo gazetarin Elton Tozaj, që deri më tani, është i vetmi që ka marrë përsipër publikisht, shpërndarjen masivisht të këtyre materialeve.

***

Krimi Kibernetik ka pyetur vetëm një pjesë të personave që shfaqen në videot intime me kompozitorin Adrian Hila në marrëdhënie intime në dhomën e gjumit në studion e tij muzikore në Tiranë.

Shpërndarja e këtyre materialeve në rrjetet sociale dhe kryesisht në telefonat e qytetarëve në Uhatsapp, ende është duke u hetuar, dhe aktualisht janë edhe disa personazhë të tjerë të cilët janë shfaqur në materiale, të cilët ende nuk janë pyetur nga blutë, pasi rezultojnë jashtë vendit.

Disa nga gratë që kanë dëshmuar para policisë, nuk kanë bërë denoncim. Ato nuk e dinin që në dhomë kishte një kamerë që i filmonte, veprim ky që deri më tani e ka pranuar ta ketë bërë Adrian Hila, por me argumentin se sistemi nuk kishte kartë memorie, dhe se dikush e ka hakeruar.

Po ashtu, këto personazhe nuk kanë denoncuar me emër opinionistin e shoubizit, Elton Tozaj, i cili i etiketoi publikisht me emra vajzat dhe gratë në videot intime, duke marrë përsipër se ishte ai personi që po i shpërndante edhe te kolegët në Uhatsapp, siç dhe e ka pranuar publikisht kur skandali sapo shpërtheu.

Hetuesit, nuk kanë gjetur ende se kush është personi përgjegjës qe prej të paktën 2 viteve, i ka shfaqur këto materiale për herë të parë në disa faqe të huaja me materiale për të rritur.  Për këtë Krimi Kibernetik po punon me INTERPOL për gjurmimin e IP-ve

E vetmja gjë që gratë i kanë kërkuar policisë, është të zbulojë se kush i shpërndau videot masivisht, duke i cenuar privatësinë gjatë një momenti intim, e duke ngjallur një gjuhë urrejtje në rrjetet sociale.

Krimi Kibernetik nisi hetimet prej së mërkurës së 30 shtatorit. I pari që u pyet ishte Adrian Hila, ndaj të cilit nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale ndërhyrje e padrejtë në jetën private. Më tej janë pyetur edhe të paktën 7 persona të lidhur me ngjarjen, ndërsa gazetari Elton Tozaj dorëzoi një deklaratë me shkrim duke thënë se videot i kanë mbërritur në telefon. Pas kryqëzimit të këtyre deklarimeve, do të jetë në dorë të prokurorit të caktojë veprimet e radhës hetimore

E sekuestruar tashmë është edhe kamera me të cilën dyshohet se u kryen filmi, e cila do të ekspertohet.