Rajoni

Hamza: Kemi mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, ligji për Specialen duhet të votohet

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se grupi parlamentar i partisë së tij, së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me qëllim votimin në lexim të dytë të ligjit për Dhomat e Specializuara.

Hamza tha se projektligji ka përfunduar të gjitha procedurat dhe se, sipas tij, nuk ekzistojnë pengesa procedurale, gjuhësore apo politike për miratimin e tij.

Ai e cilësoi ligjin si një çështje që tejkalon interesat e PDK-së, duke e lidhur atë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me kërkesën për trajtimin e çështjeve në bazë të provave dhe fakteve. “Ne nuk jemi të interesuar me ikur nga drejtësia, ne po kërkojmë drejtësi”, deklaroi Hamza, duke kërkuar që, nëse ka krime, ato të hetohen dhe gjykohen mbi bazën e provave dhe jo të, siç u shpreh ai, “shpifjeve” apo “insinuatave”.

Hamza iu bëri thirrje partive politike dhe kryetares së Kuvendit që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë ligjin. Ai foli edhe për protestat lidhur me çështjen e Speciales, duke shprehur respekt për protestuesit, por kërkoi që të mos përsëriten situata të tensionuara. Kreu i PDK-së i bëri gjithashtu thirrje qeverisë që, sipas tij, të mos kontribuojë në tensionimin e situatës.