Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit mbetet çështja kryesore për zhbllokimin e situatës politike në vend. Sipas tij, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja brenda pak orësh.
Kurti tha se çështja e zgjedhjes së presidentit duhet të zgjidhet përpara se vendi të hyjë në një tjetër proces zgjedhor, ndërsa theksoi se çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ajo e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese kërkojnë kohë për t’u trajtuar.
“Pa president sot, vendi është në zgjedhje për muaj të tërë”, deklaroi Kurti, duke shtuar se zgjedhjet e reja mund të nisin që në mesnatë.
“Sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh ai.
Kreu i Vetëvendosjes tha se prioriteti aktual është heqja e pengesave për zgjedhjen e presidentit.
“Gjëja e parë që duhet ta bëjmë është heqja e pengesave që kemi mes nesh, e kjo është çështja e presidentit”, tha Kurti.
Kurti u ndal edhe te marrëdhëniet me Partinë Demokratike të Kosovës, duke pretenduar se kjo parti nuk po pranon të zhvillojë takime me të.
“Nuk duan as bashkëpunim, as takim. Ne katër hapa në takim të tyre, ata asnjë drejt nesh. As takohen, madje vendosin edhe ultimatume”, deklaroi Kurti.
Ai tha se pas takimit të mbrëmshëm ishte lënë mundësia që palët të takoheshin edhe gjatë ditës së sotme, por sipas tij, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka refuzuar takimin.
“Kam dashur e dua marrëveshje, por tash Hamza na ka kushtëzuar dhe refuzon të takohemi. Prandaj edhe s’na mbetet rrugë tjetër përveç të ju drejtohemi kësisoj”, tha Kurti.
Sipas tij, nuk mund të kërkohet një marrëveshje politike pa zhvilluar takime mes palëve.
Kurti përmendi disa raste të bashkëpunimit parlamentar, duke theksuar votimin e Vjosa Çitakut për nënkryetare të Kuvendit, deklaratën për Hagën dhe procedimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“Tash e dy vjet i kam ftuar në takim, para tri javësh filluan të vijnë e tash po refuzojnë”, tha ai.
Në përfundim, Kurti tha se aktualisht janë dy çështje konkrete që duhet të trajtohen: zgjedhja e presidentit dhe votimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ta zgjedhim sot presidentin dhe unë zotohem që të enjten kalon projektligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi ai.
Megjithatë, Kurti theksoi se procedurat parlamentare nuk mund të anashkalohen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mund ta shkelim rregulloren për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh kryeministri në detyrë.


