
Profesori universitar Bekim Sejdiu ka deklaruar se nuk është më kandidat për President të Kosovës, pavarësisht se emri i tij është përmendur sërish si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik.
Sejdiu, i cili u tërhoq nga gara në shtator, tha se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet President vetëm me qëllimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet. President duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë”, deklaroi Sejdiu për Gazetën Infokusi.
Ai bëri me dije se ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do të jetë më pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit.
Sejdiu tha se kandidatura e tij ishte pjesë e dakordimit politik mes LDK-së dhe LVV-së dhe se e kishte mirëpritur mbështetjen e partive të tjera politike. Megjithatë, sipas tij, mungesa e votave e bëri të tërhiqej nga gara.
“Meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, u shpreh ai.
Profesori theksoi gjithashtu se zgjedhja e Presidentit nuk duhet të kushtëzohet apo të lidhet me çështje të tjera politike të rëndësishme për vendin.
Deklarata e Sejdiut vjen pasi Albin Kurti e përmendi sërish emrin e tij si një alternativë për postin e Presidentit, në një kohë kur procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit vijon të jetë në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë./Versus.al

