Komisioni Evropian ka miratuar një paketë mbi rishikimet e politikave para zgjerimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Në paketën e bërë publike këtë të martë nga Komisioni Evropian përcaktohen orientimet dhe veprimet e politikave të nevojshme për të përgatitur unionin për zgjerimin.
Në paketën e sotme, Komisioni ofron një vlerësim të thelluar të politikave të unionit në dritën e zgjerimit të ardhshëm. Ai përcakton se si korniza ekzistuese e Traktatit dhe traktatet e ardhshme të anëtarësimit mund të përdoren për të përgatitur bashkimin për një anëtarësim më të gjerë.
Ai gjithashtu propozon një sërë masash mbrojtëse për traktatet e ardhshme të anëtarësimit, duke përfshirë masa mbrojtëse më të forta sektoriale dhe një klauzolë të re mbrojtëse institucionale, për të siguruar që angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit të vazhdojnë të përmbushen në mënyrë të qëndrueshme pas anëtarësimit.
Komisioni Evropian parashikon gjithashtu një proces më të afërt integrimi për vendet kandidate, përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Sipas Komisionit, kjo qasje synon të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset si në vendet kandidate, ashtu edhe në shtetet anëtare.
“Komisioni do të evidentojë instrumentet ekzistuese të integrimit gradual dhe do të identifikojë mundësitë për thellimin e integrimit në sektorë strategjikë, si energjia, transporti, teknologjia digjitale dhe mbrojtja”, thuhet në paketën e Komisionit Evropian.
Sipas Brukselit, ky proces do të plotësojë dhe forcojë negociatat e anëtarësimit, duke ndihmuar në rritjen e kapaciteteve administrative dhe forcimin e besimit reciprok. Megjithatë, pjesëmarrja e vendeve kandidate në këto politika do të jetë e kushtëzuar dhe e kthyeshme.
“Komisioni do të nisë dialogë vjetorë me partnerët e zgjerimit për të ndjekur progresin, për të identifikuar mundësitë dhe për të adresuar boshllëqet në integrimin gradual”, thuhet më tej në dokument.
Një tjetër element i rëndësishëm i paketës lidhet me masat mbrojtëse që do të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Komisioni kërkon mekanizma më të fortë për të garantuar se vendet e reja anëtare do të vijojnë të përmbushin angazhimet e marra gjatë procesit të negociatave edhe pasi të bëhen pjesë e BE-së.
“Traktatet e ardhshme të anëtarësimit do të forcojnë masat ekzistuese mbrojtëse sektoriale dhe do të vendosin një masë të re mbrojtëse institucionale”, thekson Komisioni Evropian.
Këto masa do të shtrihen edhe pas anëtarësimit, veçanërisht në fusha të tilla si ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe çështjet e brendshme.
“Periudha gjatë së cilës masat mbrojtëse mund të aktivizohen në fusha të tilla si ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe çështjet e brendshme do të zgjatet ndjeshëm pas anëtarësimit”, thuhet në paketë.
Komisioni propozon gjithashtu një masë të posaçme mbrojtëse institucionale, e cila do të mund të përdorej në rast të shkeljeve serioze të vlerave themelore të Bashkimit Evropian dhe parimit të bashkëpunimit të sinqertë. Në rastet më të rënda, kjo mund të çojë deri në pezullimin e të drejtave të votimit të një shteti në Këshillin e BE-së.
Përveç kësaj, Brukseli parashikon edhe mundësinë e marrëveshjeve kalimtare në fusha të caktuara, përfshirë lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe shërbimeve, bujqësinë, produktet e ndjeshme, financimin dhe pjesëmarrjen në sistemet e përbashkëta.
“Për një periudhë të kufizuar, një shtet i ri anëtar mund të angazhohet gjithashtu të mos bllokojë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, thuhet në dokument.
Ndër të tjera paketa parashikon vijimin e mbështetjes së ‘klauzolave passarelle’ për kalimin nga votimi unanim në votimin me shumicë të cilësuar në fusha të rëndësishme si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe masat fiskale në politikën energjetike
“Komisioni do të vazhdojë të mbështesë përdorimin e ‘klauzolave passerelle’ për të kaluar nga votimi unanim në votimin me shumicë të cilësuar në fusha të rëndësishme, si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe masat fiskale në politikën energjetike. Përveç kësaj, Komisioni do të rishikojë propozimet që janë ende në pritje, për të identifikuar rastet ku bashkëpunimi i përforcuar mund të ndihmojë në kapërcimin e bllokimeve të vazhdueshme”, thekson dokumenti.
Në vijim, Komisioni Evropian kërkon që Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian të avancojnë diskutimet dhe përgatitjet institucionale për zgjerimin e ardhshëm të Unionit.
Si pjesë e paketës së Zgjerimit për vitin 2026, Komisioni do të paraqesë edhe udhërrëfyes orientues për Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, nëse këto vende ruajnë ritmin e reformave.
“Komisioni do të paraqesë një qasje koherente për integrimin gradual, përfshirë një hartëzim të fushave strategjike”, thuhet në paketë.
Komisioni do të punojë gjithashtu me shtetet anëtare dhe vendet kandidate për të përafruar negociatat e anëtarësimit me përgatitjet e brendshme të Bashkimit Evropian.
Top Channel