Lidhur me incidentin e 5 tetorit, ku u sulmua gazetari Bledi Mane në Tiranë, strukturat e Policisë po kryejnë veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes pranë organit të Prokurorisë. Në një reagim, Policia e Shtetit deklaron se dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre. ‘Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit.’-thuhet në njoftim.