Nga Avokat Arenc Berati
Përballë pushtetit të shtetit, çdo qytetar duhet të ketë sigurinë se liria, dinjiteti dhe e drejta e tij për t’u mbrojtur respektohen. Pikërisht në këtë përballje provohet forca e shtetit të së drejtës dhe besueshmëria e drejtësisë.
Në këtë frymë, mbështes ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, që synojnë forcimin e garancive të individit dhe të rolit të mbrojtjes.
Kodi aktual i njeh parimet e procesit të rregullt. Sfida është që ato të zbatohen realisht, duke kapërcyer frymën inkuizitore që shfaqet sa herë akuza merr peshë të paracaktuar, kërkesat e mbrojtjes trajtohen formalisht dhe kufizimi i lirisë nuk arsyetohet me rrethanat konkrete të çështjes.
Projektndryshimet synojnë ta forcojnë këtë mbrojtje përmes garancive gjatë hetimit, mbrojtjes së të dhënave personale gjatë sekuestrimit të telefonave dhe respektimit të prezumimit të pafajësisë. Vëmendje të veçantë merr paraburgimi: kufizimi i lirisë duhet të mbështetet në arsye konkrete dhe në vlerësimin se përse masat më të lehta janë të pamjaftueshme.
Barazia e armëve kërkon një mbrojtje që ka mundësi reale të veprojë: të njihet me provat, t’i kundërshtojë ato dhe të paraqesë argumentet e saj përpara një gjykate të pavarur e të paanshme. Avokati duhet të ketë hapësirën dhe garancitë e nevojshme për ta përmbushur këtë përgjegjësi.
* Autori është anëtar i komitetit drejtues të Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë














