Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një lidhje me Skype për “Ditarin e Pasdites” me Pandi Gjatën në A2 CNN, foli për protestën e paralajmëruar nga opozita ditën e enjte dhe votimin e reformës territoriale në Kuvend.
E pyetur nëse Partia Socialiste i ka aktualisht votat e nevojshme për miratimin e reformës territoriale dhe nëse priten ndryshime në qëndrimin e deputetëve, Zhupa tha se mazhoranca deri tani i ka pasur votat në çdo rast, por sipas saj nuk priten ndryshime nga opozita.
Pandi Gjata: Ka lajme se po diskutohet për negociata me deputetë nga radhët e opozitës për të arritur 83 vota, nëse ka kundërshtime nga radhët socialiste. Çfarë mund të na thoni?
Ina Zhupa: Ju garantoj që kolegët e opozitës janë shumë të qartë në qëndrimet e tyre. Nuk ka asnjë mundësi që një deputet demokrat të ngrejë kartonin për t'u shërbyer interesave të Edi Ramës dhe kundër njerëzve që preken nga shkrirja e bashkive të tyre.
Jo vetëm që ne kemi draftuar një projektligj që e kemi depozituar në Kuvend për 100 bashki, por i kemi dhënë fjalën qytetarëve që do t'i përfaqësojmë në interesat e tyre. Nuk ka asnjë mundësi që një deputet i opozitës të bëhet karton për t'i shërbyer interesave të Edi Ramës kundër qytetarëve shqiptarë dhe kundër 225 mijë zgjedhësve që preken drejtpërdrejt nga këto 15 bashki që preken nga shkrirja.
Duke iu referuar protestës së thirrur nga Partia Demokratike ditën e enjte, Zhupa tha se në protestë do të jenë edhe qytetarët që kanë protestuar prej më shumë se 120 ditësh, si edhe demokratët, ndërsa theksoi se protesta do të ketë një fokus të veçantë te reforma territoriale.
Ina Zhupa: Do të jenë edhe protestuesit që kanë protestuar prej 120 e ca ditësh, do të jenë edhe demokratët atje. Por disa prej organizatorëve të protestës në shesh nuk i kanë mirëpritur deputetët e Partisë Demokratike, siç deklaruan dje. Presin vetëm demokratët.
Partia Demokratike ka qenë në një protestë të vazhdueshme, sepse i është bashkuar gjatë gjithë kohës protestës që ka qenë në Bulevard. Ka qenë edhe një thirrje e kryetarit të Partisë Demokratike dhe e të gjithëve ne, që nga dita e parë, për të qenë aty, sepse ne bashkohemi në gjënë kryesore: në rrëzimin e Edi Ramës dhe në një qeveri tranzitore që garanton kushtet për zgjedhje të ndershme. (A2 Televizion)