E martë, 6 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Bekim Sejdiu i përgjigjet Kurtit pasi iu përmend sërish emri për President: Jam tërhequr nga gara

Profesori Bekim Sejdiu, i cili ishte propozuar si kandidat për president të Kosovës, ka bërë të ditur se është tërhequr nga gara dhe se për vendimin e tij ka njoftuar drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti dhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

 “Unë kam njoftuar së fundi edhe kreun e LDK-së edhe kryeministrin Kurti që unë nuk jam pjesë e këtij procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”, deklaroi Sejdiu.

Reklamë

Deklarata e Sejdiut vjen pasi emri i tij u rikthye në diskutimet politike për zgjedhjen e presidentit.

Në konferencën e sotme për media, kryeministri Albin Kurti shpalosi një ofertë për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke thënë se nëse deputetët e saj do të siguronin votat e nevojshme për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do të votonte Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë.

Reklamë

“Bekim Sejdiu doli me ne në konferencë bashkë. Ishte dakord të zgjidhej president. Le të votojnë kundër, ose le të abstenojnë, por le të vijnë. Një votë të tillë të përbashkët, në një situatë të tillë, vështirë që edhe profesor Sejdiu do të thoshte: ‘Jo, nuk dua ta shpëtoj Kosovën nga zgjedhjet e reja të panevojshme’”, tha Kurti.

Por Sejdiu sqaron se qëndrimi i tij ka ndryshuar dhe se ai tashmë e ka tërhequr kandidaturën.

Ai tha se në këtë proces kishte hyrë në fillim të shtatorit me synimin për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit politik, por pasi nuk u siguruan votat e nevojshme, vendosi të tërhiqej.

“Në fillim të shtatorit, kam hyrë në garë me motivin e vetëm që Kosova të dilte nga ngërçi politik, por nuk u realizua sepse nuk u bënë votat. Rrjedhimisht, unë kam bërë një herë tërheqje publike”, tha ai.

Sejdiu shtoi se e vlerëson besimin që partitë politike dhe përfaqësues të ndryshëm kanë shprehur ndaj tij, por theksoi se i ka informuar drejtuesit politikë se nuk është më pjesë e garës.

“E di që e bëjnë me qëllimin më të mirë të mundshëm, e di që kanë besim në mua, por unë i kam informuar që unë jam i tërhequr nga kjo garë”, deklaroi ai.

Afati për zgjedhjen e presidentit drejt përfundimit

Deklarata e Bekim Sejdiut vjen në një moment vendimtar për procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Emri i tij u rikthye në diskutimet politike pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues, kur kanë mbetur vetëm pak orë deri në përfundimin e procedurave për zgjedhjen e presidentit.

Pavarësisht se Kurti e përmendi sërish Sejdiun si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik, vetë profesori këmbëngul se nuk është më kandidat dhe se këtë qëndrim ua ka komunikuar drejtpërdrejt LDK-së dhe kryeministrit Kurti.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.