
Një banor i Gërdecit në Vorë, Ardian Muka, është arrestuar dhe lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohet se ka kërcënuar kushëririn e tij për t’i marrë 300 mijë euro.
Ngjarja është zbuluar më 12 shtator 2026, kur Erion Muka ka gjetur në derën hyrëse të oborrit të banesës së tij një kuti syzesh. Brenda saj ndodheshin një fishek automatiku dhe një letër me përmbajtje kërcënuese, përmes së cilës kërkohej shuma prej 300 mijë eurosh.
Materialet iu dorëzuan policisë, ndërsa Erion Muka nuk kishte dijeni se pas gjobëvënies dyshohej se qëndronte kushëriri i tij, Ardian Muka.
Hetimet u kryen në bashkëpunim me prokurorin Petrit Vukaj. Fillimisht, policia dyshoi se ngjarja mund të kishte lidhje me një histori sentimentale. Për këtë arsye, babai i një vajze nga Gërdeci u shoqërua në komisariat dhe u mor në pyetje, por mohoi çdo përfshirje.
Këqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet e tjera hetimore çuan më pas te Ardian Muka.
Sipas dosjes së hetimit, gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar se kishte vendosur letrën kërcënuese dhe fishekun në portën e banesës së kushëririt të tij.
Muka ka deklaruar se më 11 shtator, rreth orës 22:45, ka dalë nga banesa i veshur me kominoshe pune për të mos u identifikuar. Ai ka futur letrën dhe fishekun në një kuti syzesh dhe e ka lënë në portën e jashtme të banesës së Erion Mukës, më pas është larguar me vrap.
Në dëshminë e tij, ai është shprehur i penduar dhe ka deklaruar se nuk do ta përsërisë më veprimin.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar kominoshet e punës, një laps dhe një fletore, ku dyshohet se është shkruar letra e gjobëvënies.
Ardian Muka akuzohet për “Shtrëngimin me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë” dhe “Mbajtjen pa leje të municioneve”.
Me kërkesë të prokurorit Petrit Vukaj, Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”./Versus.al

