Ronaldo! Emrin e futbollistit të madh brazilian e trashëguan në Shqipëri me qindra të rinj që u lindën në fund të viteve 90’ ose fillim vitet e mijëvjeçarit të dytë. Një nga trashëguesit e vegjël të emrit të madh të futbollit botëror, të ashtuquajturit “Fenomenit”, është emri i një fenomeni ende të ri por shumë premtues, të artit folklorik shqiptar, Ronaldo Mesulit. Ronaldo përfaqëson me punën e tij artistike një brez të ri i cili jo vetëm po ndjek gjurmët, por po përpiqet të pasurojë punën e lëvruesve të shquar dhe të paharruar të muzikës dhe këngës folkorike shqiptare.
27-vjeçari i diplomuar për kanto, në Akademinë e Arteve në Tiranë, ka hedhur hapat e parë të ndrojtur në auditoret e klasave të ciklit fillor në fshatin Rrilë të Lezhës, duke u evidentuar më pas në koncertet e teatrit lokal të Lezhës, duke u rritur në sallat e Liceut Artistik në Tiranë, e më pas duke u profesionalizuar e profilizuar artistikisht në sallat e Akademisë së Arteve.
Arti folklorik në Shqipëri po has një vështirësi të padukshme, vitet e fundit, mungesën e zërave dhe instrumentistëve të rinj kësaj fushe muzikore. Ronaldo, padyshim, me aktivitetin e tij artistik dhe me repertorin e tij që po pasurohet vit pas viti, po mbush një boshllek artistik duke përmbushur edhe një amanet të, jo vetëm të familjes së tij, po edhe të brezave të shkuar që sakrifikuan jo pak, qe me anë të folkut shqiptar mbajtën në këmbë pasurinë shpirtërore, jo vetëm të melosit dhe tabanit tonë, por edhe të vetë identiteti shqiptar.
Në gjenezën e familjes Mesuli nga vjen Ronaldoja buron fryma artistike e këngëve folklorike, e cila është trashëguar brez pas brezi. Kjo frymë është pasuruar jo vetëm në dasma dhe në gëzime familjare, por edhe si pjesë e ansamblit “Mirdita”, ku një pjesë e rrethit afërt të familjes së Ronaldos kanë kontribuar me pasion si instrumentistë dhe këngëtarë për me vite me radhë. Kjo frymë e ka shoqëruar Ronaldon në rritjen e tij artistike. Pjesë e këtij rrethi artistik dhe kulturor nga ku Ronaldo është rritur e frymëzuar artistikisht, mbetet edhe kontributi i vyer dhe i paçmuar, i xhaxhait të Ronaldos, i kulturologut, shkrimtarit, publicistit dhe profesorit të disa brezave të zonës së Pukës dhe Mirditës, Mark Mesuli. Padyshim një rol vendimtar ka luajtur edhe babai i Ronaldos, Pjetër Mesuli, i cili me ekzigjencën e tij të pandërprerë dhe mbështetjen e pakursyer ndaj të birit e ka ndihmuar në hapat e parë të karrierës tashmë të konsoliduar të artistit të ri me origjinë nga Mirdita.
Tashmë, Ronaldo Mesuli, i rritur me frymën artistike të folkut shqiptar të ushqyer nga rrethi i tij familjar dhe fisnor po krijon fizionominë dhe profilin e pasur të një artisti të ri shumëdimensional, që jo vetëm premton shumë, por edhe ka barrën jo të lehtë të trashëgojë dhe të pasurojë më tej folkun dhe këngën shqipe.


