Gjykata e Tiranës ka dërguar prapa hekurave 56-vjeçarin Ardian Muka, i cili në mesin e muajit shtator, kërcënoi me jetë kushëririn e tij me qëllim përfitimin e parave.
Burime për mediat bëjnë me dije se Muka i cili u vu në pranga me 13 shtator, së fundmi është dërguar në qeli pasi akuzohet për dy vepra penale, konkretisht për “Shtrëngimin me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë” dhe “Mbajtjes pa leje të municioneve”.
Si ndodhi ngjarja:
Erion Muka, mbrëmjen e 12 shtatorit, konstatoi në portën e banesës së tij një kuti syzesh brenda së cilës gjeti një fishek dhe një letër në të cilën shkruhej “Përshëndetje...”. Përgjatë të njëjtës letër shkruheshin mesazhe kërcënuese, përmes së cilave kërkohej që Muka të jepte 300 mijë euro, në të kundërt ai do e paguante me jetë.
Ndonëse në dyshimet e para rezultonte se autori i ngjarjes mund të ishte një person i cili kishte përplasje për arsye sentimentale me një familje në Vorë, pamjet filmike zbuluan se ka qenë pikërisht kushëriri i Erionit, Ardiani ai që i ka çuar “selam” atij.
“…dhe në datën 11 shtator 2026, ka dalë nga banesa e tij rreth orës 22:45, pasi ka qenë i veshur me një palë kominoshe pune, për të mos u identifikuar, këtë letër dhe plumbin ai e ka futur në një kuti syzesh që ndodheshin në shtëpinë e tij dhe ja ka lënë tek porta e jashtme. Më pas është larguar me vrap dhe ka shkuar në banesën e tij. Ai thekson se ndihet i penduar për këtë fakt dhe nuk e përsërit më…”-thuhet në dosjen e policisë.
Ndonëse Ardian Muka shfaqi pendesë për veprim e bërë, Gjykata e Tiranës ka vulosur së fundmi arretsin me burg” për të.
