Gazetari Bledi Mane ka denoncuar se është goditur me vezë dhe një gur të vogël nga një grup protestuesish, pasditen e 5 tetorit, në rrugën “Abdi Toptani” në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, gjatë protestës së zhvilluar ndërsa Kuvendi ishte mbledhur në seancë plenare.
Në një reagim publik më 6 tetor, Mane deklaroi se po ecte në rrugë kur u ndoq nga një grup prej rreth 30 personash, mes të cilëve, sipas tij, kishte edhe të mitur. Ai tha se fillimisht u godit në pjesën e pasme të kokës dhe më pas u rrethua, u fye dhe u kërcënua.
“U detyrova të ndaloj e t’i pyes çfarë kishin me mua personalisht, por turma e agravuar filloi në kor të shante, të fyente e të kërcënonte në mënyrë të organizuar dhe histerike”, shkroi gazetari.
Sipas Manes, personat e përfshirë në incident i kërkonin llogari për qëndrimet e tij publike dhe për mënyrën se si ushtron profesionin.
“Mes sharjeve dhe kërcënimeve më orientonin se si duhet të bëj gazetari dhe çfarë duhet të shkruaj e si duhet të flas në televizor”, deklaroi ai.
Gazetari e lidhi incidentin me nxitje politike, duke përmendur Arlind Qorrin dhe Agron Shehajn dhe duke pretenduar se protestuesit paguheshin nga politika. Në materialin e raportuar nuk paraqiten prova që mbështesin këtë pretendim.
Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes në Prokurori. Në reagimin e saj, policia theksoi se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret për të sulmuar qytetarë për shkak të mendimeve apo bindjeve të tyre.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë”, thuhet në deklaratë. Policia u bëri thirrje personave që ndihen të kërcënuar t’u drejtohen autoriteteve, duke theksuar se do të mbrojë njësoj qytetarët që protestojnë dhe ata që mendojnë ndryshe.
Për ngjarjen reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili dënoi agresionin ndaj gazetarit dhe theksoi se sulmet ndaj gazetarëve janë të dënueshme me ligj.
Në përfundim të reagimit të tij, Mane falënderoi kolegët, organizatat e gazetarëve dhe të gjithë ata që i shprehën solidaritet, ndërsa deklaroi se incidenti nuk do ta pengojë të vazhdojë punën.
Lini një Përgjigje