Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka dalë menjëherë në një komunikatë për mediat duke refuzuar kërkesën që bëri pasdite Albin Kurti që të arrihej një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda ditës së sotme. Hamza thekson se asgjë nuk mund të imponohet në orët e fundit.
“Sot në orët e fundit, nuk mund të imponosh marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bë ligjin. Në çdo orë, në çdo kohë që kalon, pastaj në të vërtetë, gati thuajse e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet”, tha Hamza.
Sa i përket kandidatit Bekim Sejdiu edhe pse ky i fundit reagoi publikisht duke bërë të qartë që është tërhequr përfundimisht nga gara për President, kreu I PDK-së theksoi në fjalën e tij se kandidati në fjalë nuk ka qenë në marrëveshje me demokratët.
“Marrëveshja për z. Sejdiun. Nuk është marrëveshje me PDK-në është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. I patë lajmet që veç është hajt të flasim. Të shesim mjegull. Është marrëveshje me LDK-në. As nuk kam vërejtje personale as politike në raport me z. Sejdiun. Por është marrëveshje jashtë tavolinës së PDK-së”, deklaroi kryetari i PDK-së.
Vendi tashmë është drejt zgjedhjeve kur kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të mandatit. Për këtë Hamza ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse Lëvizja Vetëvendosje i do të gjitha për vete. Edhe ato që s’i takojnë”, shtoi ai.
Sa i përket ofertës së Kurtit që sonte të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe nesër në Kuvend të flitet për vendimin ndaj çlirimtarëve, Hamza nënvizoi në fjalën e tij kjo çështje nuk duhet të lidhet me pozitat politike apo përplasjet mes politikanëve.
Duke folur për vendimin e marrë për ish-krerët e UÇK-së, Hamza theksoi se drejtësia duhet të funksionojë për të gjithë, ndërsa shtoi se qytetarët e Kosovës nuk i përkasin vetëm një partie politike.
“Ligji kërkon drejtësi, drejtësi për njerëzit të cilët janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë atje si ndonjë pjesëtar, lider i ndonjë subjekti politik, janë për pjesën më të ndritshme të historisë së Kosovës, luftën çlirimtare të Kosovës.", shtoi Hamza.


