Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se Shqipëria po rishikon marrëdhëniet tregtare me Brazilin për importet e produkteve shtazore, përfshirë edhe mishin e derrit.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ku u diskutua për sigurinë ushqimore, Salla tha se prej 3 shtatorit 2026 janë zbatuar ndryshimet e reja europiane që lidhen me listimin e Brazilit për importet e mishit të gjedhit dhe shpendëve.
Sipas ministrit, në kushtet e reja të listimit, importet e kategorive që nuk përmbushin kërkesat përkatëse nuk lejohen. Ai tha se pikat e kontrollit dhe operatorët importues janë njoftuar për rregullat e reja.
“Zbatimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, i dokumentuar dhe i shoqëruar me kontrollet që kërkon çdo ngarkesë”, deklaroi Salla.
Salla bëri të ditur se gjatë vitit 2026, në kuadër të planit të monitorimit të mbetjeve për produktet shtazore të importuara nga vendet e treta, janë marrë 44 mostra.
Prej tyre, 30 mostra kanë qenë produkte me origjinë nga Brazili: 22 mostra mish pule dhe 8 mostra mish derri.
Ministri tha se në dy raste të mishit të pulës me origjinë nga Brazili, gjatë periudhës janar-gusht, janë konstatuar mbetje të substancave veterinare.
Në njërin rast, produkti ishte bllokuar dhe izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit. Sipas të dhënave të kontrollit, ngarkesa nuk kishte dalë në treg. Për rastin në fjalë, autoritetet shqiptare njoftuan sistemet RASFF dhe INFOSAN, ndërsa produkti u kthye në vendin e origjinës.
Në rastin e dytë, produkti ishte hedhur në treg përpara përfundimit të procesit të verifikimit. Për këtë arsye u kërkua gjurmimi i produktit dhe njoftimi i klientëve, ndërsa ndaj operatorit u morën masat administrative përkatëse.
“Këto dy raste tregojnë pse bllokimi para shpërndarjes dhe dokumentimi i çdo hallke të furnizimit janë vendimtarë”, tha Salla.
Ministri u ndal edhe te importet e mishit të derrit nga Brazili, duke bërë të ditur se autoritetet shqiptare kanë komunikuar me palën braziliane për rishikimin e marrëdhënieve tregtare në këtë sektor.
Salla theksoi se në rastet kur analizat tregojnë jokonformitet ose kur një produkt paraqet rrezik për konsumatorin, masat janë të përcaktuara: bllokimi i produktit, verifikimi i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqja ose kthimi i tij, njoftimi i konsumatorëve dhe asgjësimi kur është e nevojshme.
Salla: Siguria ushqimore është çështje e shëndetit publik
Duke folur për sigurinë ushqimore në tërësi, Salla tha se ajo nuk duhet të konsiderohet vetëm si një detyrim institucional apo si një proces inspektimi.
Sipas tij, siguria ushqimore nis që në fermë dhe vijon përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, duke përfshirë edhe kontrollet në pikat kufitare.
“Siguria ushqimore nuk është thjesht një detyrim institucional dhe as vetëm një çështje inspektimesh. Ajo është, para së gjithash, çështje e shëndetit publik, e mbrojtjes së konsumatorit dhe e besimit të qytetarëve te produktet që konsumojnë çdo ditë”, deklaroi ministri.
Salla nënvizoi se çdo rast i një produkti të pasigurt krijon shqetësim te qytetarët dhe kërkon reagim të shpejtë nga institucionet. Ai theksoi rëndësinë e dhënies së informacionit të saktë, ndjekjes së çdo sinjali dhe marrjes së masave në kohë për mbrojtjen e konsumatorëve.


