Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar ndryshime të përkohshme në qarkullimin në tunelin e Kërrabës për shkak të punimeve që do të kryhen gjatë orëve të natës.
Nga 7 tetori dhe për një periudhë maksimale prej 20 ditësh, tuneli do të funksionojë me vetëm një tub në intervalin kohor 21:00–06:00, ndërsa qarkullimi do të lejohet në të dyja drejtimet.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, punimet kanë të bëjnë me pastrimin e mureve dhe pajisjeve të tunelit. Ndërhyrja do të nisë në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë, ndërsa tubi Tiranë–Elbasan do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve në të dyja drejtimet.
Gjatë orëve të ditës, nga 06:00 deri në 21:00, qarkullimi do të vijojë normalisht, me të dy tubat në funksion.
Për garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e trafikut, në tunel do të jetë i pranishëm shërbimi i Policisë Rrugore gjatë gjithë intervalit të punimeve, nga ora 21:00 deri në 06:00 të ditës pasardhëse.
ARRSH u kërkon drejtuesve të automjeteve mirëkuptim gjatë kësaj periudhe dhe i apelon që të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.


