Aktualitet Politikë

Zgjerimi i BE-së, Hoxha: Shqipëria është gati të anëtarësohet dhe të kontribuojë në të ardhmen e Unionit!

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mirëpriti Komunikimin e sotëm të Komisioneres Marta Kos mbi përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin me anëtarë të rinj.

Në një reagim në platformën ‘X’, ministri Hoxha shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar reformat dhe për të punuar ngushtë me shtetet anëtare dhe Komisionin Evropian për një udhërrëfyes ambicioz, por realist drejt anëtarësimit.

“Shqipëria është gati. Jo vetëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së tij”, u shpreh ai.

Hoxha theksoi se zgjerimi kërkon përgatitjen e të dyja palëve, si të vendeve që synojnë anëtarësimin, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gatishmërinë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Ai ka të bëjë po aq edhe me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’i mirëpritur ato”, deklaroi ministri.

Sipas tij, për Shqipërinë, zgjerimi është një projekt strategjik i përbashkët, i cili forcon demokracinë dhe përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, ndërsa kontribuon edhe në sigurinë, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës.

Në këtë kuadër, ministri rikonfirmoi angazhimin për përmbushjen e reformave dhe mbështetjen për integrimin gradual, përmes hapave konkretë dhe me ndikim.

Duke e parë zgjerimin si pjesë thelbësore të historisë dhe të së ardhmes së Evropës, Hoxha nënvizoi se ky proces e bën kontinentin më të fortë dhe më të bashkuar.

“Për një Evropë më të fortë në shtëpi. Një Evropë më të fortë në botë”, përfundoi reagimin e tij ministri Hoxha.

Në konferencën për shtyp, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Komisioni synon të jetë “shumë më ambicioz” në këtë proces.

“Ne duam të jemi shumë më ambiciozë në integrimin e vendeve tona kandidate në pjesë të përzgjedhura të Bashkimit përpara anëtarësimit. Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit dhe një urë midis nevojës gjeopolitike për të stabilizuar kontinentin tonë dhe zgjerimit të bazuar në merita”, u shpreh ajo.
Sipas dokumentit, pjesëmarrja në këto politika do të mbetet e bazuar në meritë, e kushtëzuar nga reformat dhe e kthyeshme, që do të thotë se mund të pezullohet nëse një vend nuk përmbush më kushtet. Për të përfituar nga integrimi gradual, vendet kandidate duhet të kenë bërë përparim në reforma dhe të jenë të përafruara me prioritetet strategjike të Bashkimit Europian.

Kos tha se sapo një vend të arrijë standardet e kërkuara, ai duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në sektorë strategjikë ku ka përfitime për të dyja palët, si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria dhe mbrojtja.

Dokumenti shkon edhe më tej, duke parashikuar zgjerimin gradual të pjesëmarrjes së vendeve kandidate në instrumente dhe politika të tjera të Bashkimit Europian, si tregu i përbashkët, programet europiane, agjencitë e BE-së dhe fusha të tjera ku integrimi i hershëm mund të lehtësojë përgatitjen për anëtarësim. Sipas Komisionit, puna me të njëjtat standarde do ta bëjë më të lehtë zhvillimin e biznesit dhe do të krijojë përfitime si për kompanitë e BE-së, ashtu edhe për ato të vendeve kandidate, ndërsa kjo qasje konsiderohet veçanërisht e rëndësishme edhe për rindërtimin e Ukrainës.