Aktualitet Bota Rajoni

KE miraton paketën për zgjerimin e BE, integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Çfarë do të thotë për Shqipërinë?

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi këtë të martë në Strasburg paketën e re të Komisionit Europian për përgatitjen e Bashkimit Europian për zgjerimin e ardhshëm, duke e cilësuar atë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si BE-ja do të funksionojë me anëtarët e rinj.

“Zgjerimi është në interesin tonë. Ka të bëjë me mbrojtjen e interesave dhe vlerave tona. Është një investim afatgjatë për paqen dhe prosperitetin e Europës. Është një mundësi për ta bërë Europën më të fortë. Rrit peshën tonë politike dhe ekonomike dhe sjell përfitime të qarta për qytetarët, demokracinë dhe sigurinë. Është i mirë për ekonominë europiane dhe krijon më shumë vende pune dhe mundësi për njerëzit dhe bizneset”, deklaroi Kos.

Sipas Komisionit, paketa nuk ndryshon kushtet për anëtarësim, por përcakton mënyrën se si Bashkimi Europian duhet të përgatitet për një zgjerim të ri. Dokumenti fokusohet në pesë fusha kryesore: qeverisjen e BE-së, shtetin e së drejtës, politikat europiane, buxhetin dhe integrimin gradual të vendeve kandidate.

Më pak veto në vendimmarrje

Një nga ndryshimet kryesore që propozon Komisioni Europian lidhet me mënyrën se si merren vendimet për zgjerimin.

Sot, për shumë vendime gjatë procesit të anëtarësimit kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare. Kjo do të thotë se edhe një vend i vetëm mund të bllokojë hapjen e një grup-kapitulli ose një vendim tjetër të ndërmjetëm të negociatave.

Komisioni propozon që një pjesë e këtyre vendimeve të mos merren më me unanimitet, por me shumicë të cilësuar, aty ku traktatet e Bashkimit Europian e lejojnë. Sipas propozimit, kjo do të vlente për vendimet ndërmjetëse gjatë negociatave të anëtarësimit, si hapja e grup-kapitujve, por edhe në fusha të tjera si sanksionet, lufta kundër mashtrimit fiskal dhe disa politika energjetike.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se qëllimi është të shmangen situatat kur një shtet i vetëm pengon vendime që mbështeten nga shumica.

“Është e mundur të reduktohen rastet kur një vend i vetëm bllokon vendime që mbështeten nga të gjithë të tjerët”, u shpreh ajo.
Rregulla më të forta për shtetin e së drejtës

Një tjetër pjesë e rëndësishme e planit lidhet me mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Komisioni propozon që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përfshijnë mekanizma më të fortë për rastet kur një vend, pasi bëhet anëtar, nuk respekton më angazhimet e marra gjatë negociatave.

“Të gjitha shtetet anëtare do të kenë të drejta të barabarta. Nuk duam një Bashkim Europian me dy nivele. Por vendet duhet të vazhdojnë të respektojnë standardet e shtetit të së drejtës edhe pasi të anëtarësohen. Kemi mësuar nga përvoja. Bëhet fjalë për mbrojtjen e vetvetes”, deklaroi Kos.

Përveç tre mekanizmave ekzistues për ekonominë, tregun e brendshëm dhe drejtësinë, Komisioni propozon për herë të parë edhe një mekanizëm institucional që mund të aktivizohet në rast të shkeljeve serioze të demokracisë, të drejtave themelore ose parimit të bashkëpunimit me BE-në. Në rastet më të rënda, masat mund të arrijnë deri në pezullimin e të drejtës së votës së një shteti në Këshillin e Bashkimit Europian. Dokumenti parashikon gjithashtu monitorim edhe pas përfundimit të negociatave dhe, në raste ekstreme, mundësinë e shtyrjes së anëtarësimit nëse një vend bën hapa pas në reforma.

Integrim gradual para anëtarësimit për vendet kandidate

Një nga risitë më të mëdha të paketës është integrimi gradual. Komisioni propozon që vendet kandidate të mos presin anëtarësimin për të përfituar nga Bashkimi Europian, por të marrin pjesë gradualisht në politika dhe programe europiane, sapo të përmbushin kushtet.

“Ne duam të jemi shumë më ambiciozë në integrimin e vendeve tona kandidate në pjesë të përzgjedhura të Bashkimit përpara anëtarësimit. Integrimi gradual nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë. Ai është përshpejtuesi i zgjerimit. Ai është një urë midis nevojës gjeopolitike për të stabilizuar kontinentin tonë dhe ndjekjes së një zgjerimi të bazuar në merita. Integrimi gradual do të kërkojë dy përbërës kyçë: përparim në reformat e vendeve kandidate dhe përafrim strategjik. Dhe kjo është risia. Sapo vendet kandidate të përmbushin standardet, ato duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në sektorë strategjikë ku ka përfitime të qarta për të dyja palët për shtetet aktuale dhe të ardhshme anëtare, si energjia, transporti, inteligjenca artificiale, siguria ose mbrojtja. Kjo do të thotë se ne do të shqyrtojmë shumë më tepër edhe atë që ky integrim gradual mund të sjellë për ne. Kjo është e mirë për kompanitë e BE-së dhe partnerët e tyre në shtetet e ardhshme anëtare” tha Kos.

Sipas dokumentit, kjo do të lejojë që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në Tregun e Përbashkët Europian, në sektorët e energjisë, transportit, inteligjencës artificiale, mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe në programe si Erasmus+, Horizon Europe dhe Creative Europe.

Paketa parashikon gjithashtu pjesëmarrje më të gjerë në sistemin europian të pagesave SEPA, zgjerimin e marrëveshjeve për roaming, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe pjesëmarrjen si vëzhgues në agjenci dhe grupe ekspertësh të Bashkimit Europian. Të gjitha këto do të varen nga përparimi i reformave dhe mund të pezullohen nëse një vend nuk përmbush kushtet.

Politikat dhe buxheti i një BE-je më të madhe

Komisioni analizon gjithashtu ndikimin që zgjerimi do të ketë në politikat e Bashkimit Europian, nga tregu i përbashkët dhe energjia te transporti, bujqësia, mbrojtja, drejtësia dhe administrata publike. Sipas dokumentit, zgjerimi do të kërkojë kapacitete më të mëdha administrative si nga vendet kandidate, ashtu edhe nga vetë institucionet europiane.

Një kapitull i veçantë i kushtohet buxhetit. Komisioni vlerëson se kuadri financiar shumëvjeçar 2028-2034 mund të përballojë pranimin e anëtarëve të rinj. Para anëtarësimit, vendet kandidate do të vazhdojnë të financohen përmes instrumentit “Global Europe”, ndërsa pas hyrjes në BE do të kalojnë te fondet e plota të Bashkimit Europian për kohezionin, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal. Për Ukrainën, dokumenti parashikon rregulla të veçanta për shkak të madhësisë së sektorit bujqësor.

Çfarë do të thotë për Shqipërinë

Për Shqipërinë, paketa sjell dy zhvillime konkrete. Së pari, Komisioni do të paraqesë në paketën e zgjerimit të vitit 2026 një udhërrëfyes orientues (“roadmap”), që do të përcaktojë prioritetet dhe hapat e mëtejshëm të negociatave, nëse vendi vazhdon me ritmin e reformave. Së dyti, Shqipëria mund të fillojë të integrohet gradualisht në një sërë politikash dhe programesh europiane edhe përpara anëtarësimit të plotë, nëse plotëson kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

” Ne kemi identifikuar katër vende kryesuese. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto vende kanë treguar përparim të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë gjatë viteve të fundit. Në raportet e zgjerimit që do të publikohen në fund të tetorit, më 28 tetor, ne synojmë të paraqesim udhërrëfyes tregues për këto vende. Ne duam t’i ndihmojmë ato të ruajnë përparimin në reforma dhe këta udhërrëfyes do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Ato do të përmbajnë afate kohore orientuese dhe rezultate të qarta që duhet të arrihen. Kjo do të na sigurojë më shumë parashikueshmëri në rrugën drejt anëtarësimit. E rëndësishme, kjo rrugë do të vazhdojë të bazohet në arritjet individuale të vendeve kandidate. Nuk do të ketë rrugë të shkurtra” tha Kos
Komisioni thekson se zgjerimi do të vazhdojë të bazohet në meritë dhe se asnjë vend nuk do të anëtarësohet pa përmbushur kriteret. Megjithatë, paketa synon ta bëjë procesin më të shpejtë, më të parashikueshëm dhe më të dobishëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Në konferencën për shtyp, Marta Kos prezantoi edhe katër hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Komisioni Europian për zbatimin e paketës.

Sipas saj, hapi i parë do të jetë publikimi i udhërrëfyesve (“roadmap”) për vendet kandidate më të avancuara. Këto dokumente do të publikohen së bashku me raportet e zgjerimit në fund të tetorit dhe do të përcaktojnë prioritetet dhe hapat e mëtejshëm për secilin vend.

Hapi i dytë është përgatitja e fazës së re të integrimit gradual. Komisioni do të hartojë një pasqyrë të të gjitha instrumenteve ekzistuese të integrimit dhe deri në fund të tetorit do të paraqesë një qasje të re, më ambicioze, për afrimin e vendeve kandidate me Bashkimin Europian edhe para anëtarësimit të plotë.

Hapi i tretë lidhet me mekanizmat e rinj mbrojtës. Kos bëri të ditur se në ditët në vijim Komisioni do të përgatisë një kuadër të detajuar për garancitë që do të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Sipas saj, këto mekanizma do të zbatohen për herë të parë në rastin e Malit të Zi, për të cilin tashmë ka nisur puna për përgatitjen e traktatit të anëtarësimit.

Hapi i katërt ka të bëjë me Ukrainën. Komisioni do të marrë në konsideratë vlerësimin për sektorin bujqësor ukrainas gjatë diskutimeve për hapjen e Klasterit 5 të negociatave, duke pasur parasysh ndikimin që anëtarësimi i Ukrainës mund të ketë në politikën bujqësore të Bashkimit Europian.