Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim me strukturat e Policisë së Shtetit në Shkodër, një prej qarqeve që vijon të kërkojë vëmendje të shtuar për problematikat e rendit dhe sigurisë. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili kërkoi forcimin e forcës parandaluese dhe goditjen e grupeve kriminale, personave që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike, si dhe trafikantëve të emigrantëve.
Një tjetër porosi e Hitës ishte rikthimi te dosjet e vjetra dhe analizimi i ngjarjeve të së kaluarës, ndërsa u diskutua edhe lufta kundër kultivimit të kanabisit. Sipas tij, këtë vit janë asgjësuar rreth 122 mijë fidanë para mbjelljes, kundrejt rreth 8500 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Takimi me strukturat e Policisë së Shkodrës u zhvillua edhe në një kohë kur siguria në qark mbetet një prej çështjeve ku kërkohet angazhim i vazhdueshëm i institucioneve. Në fokus ishte gjithashtu siguria në shkolla dhe etika e komunikimit të punonjësve të Policisë me qytetarët dhe turistët. Hita deklaroi se krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë ulur me pothuajse 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por theksoi se dosjet e mbartura dhe krimet kundër personit kërkojnë angazhim maksimal.
“Shkodra është qark që frekuentohet nga shumë vizitorë e turistë dhe kjo kërkon më shumë etikë e angazhim. Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, për të zbatuar ligjin dhe për të goditur këdo që e shkel atë, pa dallim. Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë”, u shpreh Hita.
