Bledi Mane flet për sulmin me vezë dhe nxjerr emrat: Ishte një porosi e marrë me emergjencë
Gazetari Bledi Mane ka rrëfyer detaje nga momenti kur u sulmua me vezë nga një grup protestuesish në Tiranë. Mane e cilësoi ngjarjen si një veprim të organizuar dhe tha se, sipas tij, qëllimi ishte diskreditimi i tij publik. “Ishte një organizim perfekt, jam befasuar. Rruga ishte me njerëz, turistë dhe nuk di nga mbinë. Nisi me një vezë”, deklaroi Mane, duke treguar se një prej personave që e sulmuan i kishte thënë se vezën e fundit e kishte ruajtur për të.
Sipas gazetarit, pjesa më e madhe e grupit që e rrethoi ishte e përbërë nga të mitur. Ai tha se nuk u ndje i frikësuar dhe se situatën e perceptoi si një “detyrë” të organizuar për ta sulmuar dhe filmuar. “E ndjeva që ishte një detyrë, një porosi e marrë me emergjencë për të degjeneruar, diskredituar, gjuajtur, filmuar dhe bërë gjyqin publik”, u shpreh ai. Mane tha se nuk ka shkuar asnjëherë në protestat e zhvilluara nga grupet që e kundërshtojnë, ndërsa theksoi se e respekton të drejtën për të protestuar. “Unë i kam kundërshtuar që në fillim, por asnjëherë nuk kam shkuar te vendi i protestave të tyre. E respektoj të drejtën e protestës, kanë milionë arsye për të protestuar”, tha gazetari.
Mane bëri gjithashtu akuza konkrete ndaj drejtuesve politikë Arlind Qori dhe Agron Shehaj, duke i cilësuar si persona që, sipas tij, sponsorizojnë grupet e protestuesve. Ai pretendoi se ekziston një listë me gazetarë që mund të jenë objekt i sulmeve të tjera. “Arlind Qori e akuzoj publikisht, bashkë me deputetin e Vlorës, Agron Shehajn, janë ata që sponsorizojnë këtë grup protestuesish”, tha Mane. Sipas gazetarit, sulmi ndaj tij mund të ketë qenë i pari në një seri përplasjesh të planifikuara ndaj gazetarëve. Ai përmendi në këtë kontekst edhe emrat e Ylli Manjanit dhe Albatros Rexhajt.
Ndërkohë, edhe pse policia ka nisur hetimet për incidentin, Mane tha se nuk ka ndërmend të bëjë kallëzim penal. Në fund, Mane tha se nuk do të ketë reagim nga ana e tij apo e njerëzve pranë tij, pavarësisht përplasjes me protestuesit. “E them publikisht, jo prej frikës. E di që do të rastis sërish me protestuesit”, deklaroi ai, duke e cilësuar mënyrën e organizimit të sulmit si “shumë të poshtër dhe të ndyrë”.

