Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të së drejtës për akses në gjykatë në çështjen “Kuliçi kundër Shqipërisë”, lidhur me një proces konkurrimi për drejtues të Prokurorisë së Vlorës. Çështja lidhet me prokurorin Albert Kuliçi, i cili kishte kundërshtuar vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë gjatë procedurës së përzgjedhjes së drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës.
Kuliçi kishte ngritur pretendime për mënyrën se si ishin vlerësuar dhe renditur kandidatët, duke kërkuar që ligjshmëria e këtij procesi të kontrollohej nga gjykata. Megjithatë, Gjykata Administrative e Apelit nuk i shqyrtoi në themel këto pretendime. Pikërisht këtë situatë e ka vlerësuar GJEDNJ si problematike. Sipas Strasburgut, një prokuror që konkurron për një pozicion dhe që e lidh rezultatin e procesit drejtpërdrejt me karrierën e tij duhet të ketë mundësi reale për ta kundërshtuar në gjykatë ligjshmërinë e vendimmarrjes.
Gjykata thekson se fakti që një organ si KLP gëzon një hapësirë vlerësimi në përzgjedhjen e kandidatëve nuk do të thotë se vendimet e tij mund të përjashtohen tërësisht nga kontrolli gjyqësor. Në këtë rast, GJEDNJ nuk ka vendosur se Kuliçi duhej të fitonte garën për drejtues të Prokurorisë së Vlorës. Konstatimi i Strasburgut lidhet me të drejtën e tij për të pasur një shqyrtim gjyqësor të pretendimeve mbi ligjshmërinë e procesit.
Vendimi merr rëndësi edhe për standardet që lidhen me karrierën e magjistratëve. Sipas Gjykatës, garancitë procedurale në çështjet që prekin karrierën e tyre lidhen edhe me pavarësinë e magjistratëve dhe mbrojtjen e tyre nga vendimmarrja arbitrare. Në përfundim, GJEDNJ konstatoi unanimisht se Shqipëria ka shkelur nenin 6 §1 të Konventës, për shkak të cenimit të së drejtës së Kuliçit për akses në gjykatë.
