“M’u lutën që të bëhesha zëvendëskryeministër”, Braçe: Nuk e shikoj Bashkinë e Tiranës si ofiq, por si vend pune

Deputeti socialist Erion Braçe ka folur për jetën e tij politike, largimin nga posti i zv/kryeministrit dhe ambicies së tij për të garuar për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
I ftuar në studion e “Takohemin’Vizion”, Braçe tha se postin e zëvendëskryeministrit nuk e kishte kërkuar vetë, por i ishte propozuar.
“Jam bërë zëvendëskryeministër me të lutur. Nuk jam lutur unë. Ma kanë kërkuar. Ka disa njerëz që e dinë se ku preket tjetri dhe ia dalin në disa raste. E pranova”, tha Braçe.
Ai foli edhe për largimin nga posti, duke theksuar se askush nuk e kishte shkarkuar dhe se vendimin për t’u larguar e kishte marrë vetë.
“Edhe për të ikur nuk më hoqi njeri. Ika vetë. Unë mbaj përgjegjësi për një rezultat elektoral. Shikoj edhe ambientin. Kur nuk është më ambient skuadre, pse të rrish më atje”, u shpreh ai.
Braçe konfirmoi edhe një herë ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës, duke kërkuar që kandidati i Partisë Socialiste të përcaktohet përmes një gare.
“Tani po kërkoj një gjë, po kërkoj garë që kjo parti ku unë kam gjithë jetën të përzgjedhë përmes garës kandidatin më të mirë për të kandiduar për të drejtuar Tiranën”, deklaroi ai.
Braçe tha se është përfshirë fort në këtë garë dhe se e ka bërë të qartë ambicien e tij, pavarësisht diskutimeve që, sipas tij, tentojnë ta mohojnë ekzistencën e saj.
“Unë me këtë garën kam rënë në dashuri dhe besoj e kam shfaqur aq shumë sa të gjithë po e mohojnë garën”, tha ai.
Duke folur për arsyen pse dëshiron të drejtojë Tiranën, Braçe tha se nuk e sheh Bashkinë si një post politik apo si një mundësi për të rritur ndikimin e tij.
“Unë nuk e shikoj Bashkinë e Tiranës si ofiq, e shikoj si vend pune. Unë dua vendin e punës, jo bashkinë, karrige, influencë”, tha Braçe.
Ai theksoi gjithashtu se nuk e lidh këtë ambicie me synimin për të ardhmen për t’u bërë kryeministër.
“Nuk dua që nga Bashkia e Tiranës të bëhem kryeministër”, u shpreh ai.
Sipas Braçes, modeli aktual i zhvillimit të kryeqytetit ka nevojë për ndryshim dhe momenti është i përshtatshëm për ta bërë këtë.
“Modeli i zhvillimit të Tiranës tani ka nevojë për ndryshim. Tani është momenti më i përshtatshëm i mundshëm”, deklaroi ai.
I pyetur se çfarë do të ndryshonte në Tiranë, Braçe vendosi në fokus hapësirat publike dhe pastrimin e qytetit.
“Hapësirat publike, pastërti”, tha ai.
Braçe argumentoi se hapësirat që, sipas tij, janë marrë në mënyrë të paligjshme duhet t’i rikthehen qytetit.
“Duhet marrë ajo që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme. E gjithë Evropa po reagon ndaj ndryshimeve klimatike. Të gjitha sipërfaqet e tepërta të betonit po i heqin. Po bëjnë diçka. Ne jo, nuk po e bëjmë”, tha Braçe.




