BALLKAN, 6 October 2026, 17:36

Thellohet ngërçi, Bekim Sejdiu i përgjigjet Kurtit pasi iu përmend sërish emri: Jam tërhequr nga gara për president  

Thellohet ngërçi, Bekim Sejdiu i përgjigjet Kurtit pasi iu

Bekim Sejdiu ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti e përmendi sërish emrin e tij si kandidat për president të Kosovës, duke bërë të qartë se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar.

Sejdiu ka deklaruar se është tërhequr nga gara për postin e presidentit dhe se për këtë vendim ka njoftuar sërish si Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu edhe Albin Kurtin. 

“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin se jam tërhequr nga gara”, ka thënë Sejdiu në një përgjigje për Infokus.

Reagimi i tij vjen vetëm pak kohë pasi Kurti, gjatë një konference për media, e përmendi sërish Sejdiun në kuadër të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit.

Kurti u bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës që ta votojnë Sejdiun për president, pavarësisht faktit se ky i fundit ka bërë të ditur më herët se nuk dëshiron të jetë pjesë e garës.

Kryeministri e ka lidhur kandidaturën e Sejdiut me marrëveshjen politike të arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndërsa situata mbetet e paqartë për shkak të qëndrimit të vetë Sejdiut.

Në deklarimin e tij të fundit, Sejdiu nuk ka lënë hapësirë për paqartësi, duke përsëritur se e ka mbyllur kandidaturën e tij dhe se këtë ua ka komunikuar sërish palëve politike.

Ndërkohë, procesi për zgjedhjen e presidentit vijon të mbetet në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë, ndërsa partitë parlamentare përballen me nevojën për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e situatës së krijuar.