
Qeveria ka hedhur hapin e radhës për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, duke nisur procedurat për gjetjen e kompanisë që do të menaxhojë shërbimin e transportit të pasagjerëve.
Ndërsa punimet për ndërtimin e linjës dhe stacioneve vijojnë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur konsultimet për kontratën e re të shërbimit publik, e cila do të përcaktojë mënyrën se si do të funksionojë transporti me tren.
Gjatë një takimi konsultativ, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, prezantoi elementët kryesorë të kontratës, duke theksuar se synimi është që shteti të paguajë për një shërbim real dhe të matshëm për qytetarët dhe jo thjesht për kilometrat e përshkuar nga trenat.
Në këtë fazë, qeveria po teston interesin e kompanive, përfshirë operatorë ndërkombëtarë, për menaxhimin e udhëtarëve, financimin e shërbimit, mirëmbajtjen e mjeteve lëvizëse dhe përcaktimin e afateve për nisjen e operimit.
Projekti përfshin jo vetëm ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, por edhe elektrifikimin e linjës. Sipas ministrit Karakaçi, elektrifikimi i plotë i linjës Tiranë-Durrës-Rinas parashikohet të përfundojë brenda vitit 2027.
Pas përfundimit të infrastrukturës, operatori që do të përzgjidhet do të ketë përgjegjësinë për organizimin dhe menaxhimin e shërbimit hekurudhor, në bazë të standardeve që do të përcaktohen në kontratën e shërbimit publik.
Linja Tiranë-Durrës-Rinas synon të krijojë një lidhje hekurudhore mes kryeqytetit, Durrësit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, duke ofruar një alternativë të re transporti për qytetarët dhe udhëtarët./Versus.al

