Pas viteve kur gjalpi shihej si një produkt që duhej konsumuar me kujdes, ai po përjeton një rikthim të madh në gastronomi. The Guardian shkruan sot për një “butter boom”, me restorante, chef-a dhe konsumatorë që po e trajtojnë gjalpin pothuajse si një produkt premium më vete.
Në Paris është hapur Le Butter, dyqani i parë në qytet i dedikuar vetëm gjalpit. Brenda tij gjenden rreth 50 lloje, nga versionet klasike të kripura deri te kombinimet me hudhër të egër, mjedër apo çokollatë. Interesi ka qenë aq i madh sa jashtë dyqanit është vendosur edhe një sistem për të menaxhuar radhët e klientëve.
Edhe në restorante, gjalpi nuk serviret më thjesht si një copë e vogël pranë bukës. Ai rrihet, formohet në mënyra kreative dhe vendoset në tavolinë si një nga elementet kryesore të eksperiencës. Disa njerëz madje po e servirin në dërrasa, njësoj si djathin.
Një arsye e rikthimit lidhet edhe me interesin për ushqimet që perceptohen si më natyrale dhe më pak të përpunuara. Megjithatë, ekspertët e ushqyerjes kujtojnë se gjalpi përmban shumë yndyra të ngopura dhe duhet konsumuar me masë. Nga një produkt i zakonshëm i frigoriferit, gjalpi po kthehet në një nga protagonistët më të fotografuar të tavolinës.