Sport

Nga Malajzia në Britani, ja gafat strategjike që fundosin Ferrarin!

Gabimi strategjik me gomat të dielën në Sepang nuk është një rast i izoluar për Ferrarin. Në një sezon ku makina SF-26 ka treguar shpejtësi për të luftuar për rezultate të mëdha, vendime të diskutueshme nga muri i bokseve kanë kufizuar disa herë potencialin e skuadrës italiane.

Në Sepang, Ferrari zgjodhi gomat soft për të dyja makinat, edhe pse pista ishte ende shumë e lagësht dhe kushtet favorizonin gomat intermediate. Hamilton dhe Lëklerk ranë menjëherë në fund të grupit, ndërsa monegasku pati edhe kontakt me gjermanin Hulkenberg dhe dëmtoi krahun e përparmë. Megjithatë, falë një rikuperimi të fortë, Ferrari arriti të shpëtonte garën me vendet e treta dhe të katërta.

Pikërisht ky rikthim tregoi se makina kishte potencial për një rezultat edhe më të mirë, duke vendosur sërish në qendër polemikave vendimet nga bokset. Por le të shikojmë disa prej zgjedhje të tjera më të diskutueshme nga skuderia e Ferrarit gjatë këtij sezoni.

Në Silverston, Hamiltoni ishte në garë për vendet e para kur “Safety Car” u shfaq në fund të garës. Ferrari thirri të dyja makinat në bokse për goma të reja soft. Lëklerku ruajti kryesimin, por Hamiltoni humbi vendin e dytë ndaj Rasëllit, pasi Mercedesi zgjodhi të mos ndalonte. Ferrari kishte vendosur të mbulonte skenarin e një rinisjeje, por ajo nuk ndodhi dhe piloti britanik nuk pati mundësi ta rikuperonte pozicionin. Ai e bëri të qartë pas garës se, po ta dinte se do të humbiste pozicionin, nuk do të kishte hyrë në bokse.

Në Budapest, Ferrari përsëriti një tjetër vendim të diskutueshëm. Hamiltoni, i nisur i pesti, po luftonte për podiumin kur skuadra e thirri në bokse gjatë futjes së Makinës Virtuale të Sigurisë. Vendimi i lejoi Vershtapenit të fitonte një pozicion dhe Hamiltoni përfundoi në vendin e katërt në pistë. Më pas, një penalizim për tejkalim të shpejtësisë në “pit lanë” e zbriti në vendin e pestë, pas Lëklerkut. Vetë Hamiltoni deklaroi se nuk besonte që Ferrari duhej të kishte ndaluar.

Edhe gara në Zandvort solli një tjetër shembull të ekzekutimit jo perfekt. Hamiltoni, me goma “hard” më të freskëta, iu afrua Lëklerkut, por Ferrari vonoi ndarjen e strategjive. Monegasku qëndroi një xhiro më shumë në pistë dhe britaniku humbi kohë pas shokut të skuadrës. Më pas Ferrari zgjodhi një strategji ekstreme, duke e lënë Hamiltonin jashtë për një kohë të gjatë me goma të forta, pa ia shpjeguar plotësisht planin përmes radios. Norris dhe Antoneli e parakaluan sapo avantazhi i gomave u zhduk.

Në të tre rastet, problemi nuk ishte domosdoshmërisht një strategji tërësisht e gabuar, por menaxhimi i pozicionit në pistë dhe ekzekutimi i vendimeve në momentet kritike. Kjo është pikërisht ajo që Fred Vasër ka kërkuar vazhdimisht të përmirësohet. Ferrari ka një makinë që në shumë raste ka ritmin për të luftuar për fitore dhe podiume, por gabimet në strategji, komunikim dhe menaxhimin e garës po i kushtojnë pikë të rëndësishme. Dhe në një kampionat ku diferencat mes skuadrave kryesore janë minimale, këto gabime mund të bëjnë diferencën mes një fundjave të mirë dhe një mundësie të humbur.